Lajmi i vrasjes së 20-vjecares Simona Cavallaro nga një grup qensh ngjalli indinjatë të madhe në Itali.

Të resë ia dha një ditë më parë lamtumira e fundit, ndërsa babai i saj i dëshpëruar nga fati tragjik i së bijës u shpreh për mediat se “mund të imagjinonte çdo gjë, por jo që bija e tij të kishte këtë fund që u urohet vetëm egërsirave”.

Djali që ishte duke shëtitur me të arriti të largohej vetë, por la pas vajzën që nuk pati rrugë shpëtimi. Mësohet se i riu është në gjendje shoku, por ka dhënë disa detaje nga momenti i përfunduar në tragjedi. Sipas tij, 12 qen në fillim e rrethuan Simonën, pastaj iu vërsulën.

Djali tha se ishte larguar me vrap për tek makina dhe e kishte thirrur vazhdimisht Simonën që ta ndiqte, por ajo e terrorizuar, nuk kishte mundur të largohej. Qentë iu hodhën në momentin që kishte tentuar të largohej dhe sipas mjekësisë ligjore vajza e re kishte kafshime në shpatulla dhe këmbë.

Njëri prej qenve duket se nuk ishte një qen rrugësh, sic u mendua fillimisht, por qen i stërvitur për të mbrojtur bagëtitë. Pronari i tij 44-vjecar është identifikuar dhe do të merret në pyetje nga policia.