Nga BUJAR QESJA
Jeta është e mbushur me lloj lloj dukurish. Disa tërheqëse, disa problematike, disa që shprehin miqësi, sinqeritet dhe mirnjohje. Njerëz të ndryshëm e kqyrin jetën nga pozicione të ndryshme. Natyrisht kjo është larmi, pasi për të njëjtën dukuri, qendrimet dhe gjykimet janë të ndryshme. Jeta jo në pak raste është edhe surprizë. Disa të këndshme, e disa të tjera jo.
Ndërmjet dukurish të ndryshme jetësore, që për vetë zanatin tim janë shumë, shumë, ndesha këto ditë me një veprimm, që ka brenda bukuri dhe dëshirë shpirtërore.
Në tërësi njerëzit priren nga e mira, nga e bukura, nga ajo që vlen duke e vënë përballë asaj që nuk vlen. Prandaj këtë botë e ekuilibron, apo e ballancon e mira, e bën më të qendrueshme dhe më tërheqëse.
Po qendroja si zakonisht, në vendin që më ka taksur i Madhi. Po përgatitja kafenë e mëngjesit, që gjithsesi më pëlqen në varjantin tim, që është varjanti traditor i përdorur nga prindërit e mi.Kur befas dëgjoj pas krahëve, të më thotë dikush: Mirmëngjes!
Ktheva kryet dhe pashë një njeri të njohur. Ndonjë lidhje shoqërore me të nuk kam, por respekt shumë. Duke qenë një durrsak që në lindje, duke patur punë të ndryshme publike, më shumë më njohin se i njoh, më shumë më flasin se i flas.
Personi që më foli, mbante në dorë një qese, të cilën e kam ekspozuar edhe në foto, që mbante brenda diçka. Natyrisht me ndjeshmërinë e një karakteri të kristalizuar, e ftova mikun të ulej dhe të konsumoja me të disa minuta bisedë. Dhe ai kishte ardhë vërtet për t’u ulur dhe për të qëndruar jo më pak se 10 minuta.
-Të kam sjellë nga bahçeja ime, disa prodhime. Janë pak domate, pak tranguj, një dorë kumbulla, e nga pak gjithashtu disa gjëra të tjera. Është fryt i djersës time dhe i gruas time aq të dashur Zanës. Jua kam sjellur për t’i shijuar. Disa nga domatet janë italiane.
Ky njeri që banon që në lindje në Spitallë, është tani në moshën 74 vjeçare. I bie të jetë i datëlindjes 1947. Quhet Teodor Biceri. Folëm brenda numurit të minutave që shpjegova, për tokën e tyre të begatë, për punët që ka bërë në jetë dhe disa hollësi të tjera. Teodor Biceri është vëllai i një miku tonë të vjetër, Prokop Biceri, me profesion ekonomist. Teodori ka mbaruar disa shkollë ushtarake dhe ka shërbyer në forcat e armatosura, duke ushtruar detyrën e oficerit. I ndershëm dhe i saktë. I muhabetit, por edhe i sinqeritetit. Janë ai grupi i njerëzve që e shikojnë jetën dhe e trajtojnë atë, me optimizëm, nga pozicioni i atij që dëshiron të bëj vetëm mirë, që u jep bekimin dhe uratën të tjerëve për shëndet e mbarësi.
Teodori ka për bashkëshorte, vajzën e një njeriu shumë të njohur në Portin Detar. Unë e kam njohur atë që 18 vjeç, kur më ra rasti të punoj për disa muaj në repartin e ofiçinës në Portin Detar, pas mbarimit të shkollës së mesme. Kategorinë e katërt si motorrist, e kisha marrë gjatë viteve të shkollës nga programi i kualifikimit profesional. Përgjegjësi i sektorit të transportit, ku kishte me dhjetra e dhjetra makina, ishte i mirnjohuri, njeriu i shkëlqyer, burri zotni Feim Zamani. Këtë nuk e dija, ma tregoi Teodori.
Teodori gjithashtu më tha, që vajza e tij Alma punon në Shtabin Qendror të Komandës së NATO-s me qendër në Luksemburg. Më erdhi mirë që një vajzë nga Spitalla, kishte këtë pozicion të lartë në NATO. Babai me profesion oficer dhe e bija në shërbim të forcave ushtarake, natyrisht jo në pozicionin e oficeres.
Me këto dy të dhëna më befasoi Teodor Biceri, pensionist dhe ushtrues i zellshëm i punëve agrare. Për këtë shpjegova se çfar bën rastësia, por çfar bukurish dhe surprizash të ofron jeta. Teodor Biceri bëri një veprim respekti, për t’i çfaqur simpatinë një njeriu të përkushtuar të letrave, që shkruan ditë e natë për njerëzit dhe veçanërisht për durrsakët. Dhe merr këtë “çertifikatë mirënjohje” jo nga një institucion zyrtar, por nga një njeri i thjeshtë, brenda të cilit pulson një zemër e madhe që quhet Teodor Biceri.
Në fund i thashë të ardhurit nga Spitalla, oficerit në lirim Teodor Biceri, punëtorit të bujqësisë së tokës së tij Teodor Biceri:
-Ti nuk më sjell pak kumbulla, pak domate dhe pak tranguj, por më ke dhënë shumë, shumë mirnjohje dhe respekt. Kjo qese mbi tavolinën time, ka pak prodhime nga toka e jote, por ka shumë shpirt nga zemra e jote. Të faleminderit!
Durrës: 28 korrik 2021
Pamja e parë
Teodor Biceri (djathtas) dhe Bujar Qesja
Pamja e dytë
Teodor Biceri me bashkëshorten e tij Zana Zamani
Pamja e tretë
Teodor Biceri me vajzën e tij Alma Biceri