Në hartografi njihet si Kepi i Palit, ndërsa vendasit përdorin toponimin Bishti i Pallës (Bishtpallë) për ta emërtuar.

Një rrip i hollë toke zgjatet rreth 2 km drejt detit, ndërsa gjiret e vogla të krijuara nga dredhimet e peizazhit natyror janë ndër plazhet më të bukura të Durrësit.

Mbrojtja natyrore që zona kodrinore i garanton hapësirës ranore dhe detare e ka kthyer atë në të parapëlqyerin e banorëve të Durrësit, si për ata që e vizitojnë për herë të parë, si për frekuentuesit e rregult.

Tarifat e shezlloneve janë 1500 lekë, por mund të akomodoheni edhe në hapësira publike.

“Fakti që njerëzit janë të lirë të shkojnë qoftë tek pjesa private, qoftë tek pjesa publike, pra t’i shfrytëzojnë të dyja mundësitë më pëlqen”.

“Në krahasim me çfarë ka qenë më përpara ka përmirësime të dukshme”.

“Disa miq na e rekomanduan. Është shumë bukur, natyra e qetë, ushqimi shumë i mirë, uji i pastër, rëra e pastër. Shumë këndshëm”.

“Ky plazh i ngjan tamam plazheve të jugut”.  

“E frekuentoj sepse deti është i qetë, mund të bësh not. Aktivitetet sportive që organizohen këtu janë mjaft të këndshme”,- janë vetëm disa nga opinionet e pushuesve.

Lojërat me dorë në breg të detit, janë një tjetër mënyrë mjaft argëtuese për të kaluar kohën e pushimit në shoqëri të mirë.

Për të huajt, këto plazhe janë hapësirat perfekte për pushime, sepse mund të gjesh gjithçka në një vend të vetëm.

“Ju keni shumë potencial turistik. Keni plazhe shumë të bukura. Kalohet shumë mirë në Durrës”, na thotë një e re nga Portugalia.

Ndërsa për një të ri italian Durrësi është një vend fantastik.

Ndodhem prej 3 ditësh këtu. Jeni duke punuar mirë dhe Durrësi po përparon në sektorin e turizmit”.

Përveç barit dhe resrorantit që ofron një menu shumë të larmishme, ku dominojnë produktet e detit, aty gjeni hapësira të konsiderueshme për kamping apo për akomodim disa ditor në vilat e vogla, ku qiraja ditore është 50 euro.

Portezi nuk është i vetmi plazh i kësaj zone periferike të Durrësit.

Porto Romano ofron të tjera hapësira publike e private përgjatë bregdetit të saj.

Karakteristikë e këtyre plazheve me gurë është uji shumë i pastër dhe qetësia që ato ofrojnë me shumicë.

Më shumë kujdes i duhet kushtuar pastrimit të hapësirave publike, që fundjavave njohin frekuentimin më të lartë.

M.B.