Kreu i LSI-së Ilir Meta i ka dhënë përgjigje thashethemeve që po qarkullojnë këto ditë se mes tij, pas darkës në Kryeministri me Ramën, do të ketë një takim mes tij dhe liderit të opozitës Lulzim Basha.
Çani: Gojët e liga thonë se së shpejti pritet të ketë një darkë mes teje dhe Lul Bashës.
Meta: Zoti Basha ka qenë gjithmonë i mirëpritur nga unë si kreu i Kuvendit dhe ai ka ardhur dhe unë e kam ftuar para reformës në drejtësi.
Çani: Nuk është tabu apo jo?
Meta: Po nuk është tabu se ne jemi takuar, në çdo situatë si mund të them unë nuk e takoj, jo vetëm me kreun e opozitës, por edhe me kreun e çdo partie opozitare që nuk është në parlament.
Çani: A të ka thënë Rama se jeta është e shkurtër, bëhu president dhe rehatohemi në 4 vitet e ardhshme, s’ke pse kalon ditën me mua dhe natën te çadra e Lulit
Meta: S’e kemi diskutuar këtë dhe nuk e dinte njeri sa doktori të ishte aq kategorik dhe ta cilësonte atë si darka e fundit, ajo është marrë vesh ditën tjetër. Rëndësi ka të mos jetë darka e gabuar apo jo?
Çani: Kjo do merret vesh shumë shpejt… A i ke kërkuar Rames më jep kokën e Sajmes dhe e mbyllim me kaq?
Meta: Absolutisht
Çani: Rama të ka propozuar një tjetër alternativë të kaloni në qeveri teknike me kryeministër Saimir Tahirin?
Meta: (qesh si në foto) Kjo qenka gojë e ligë, tamam e Fahriut.
Çani: A i ke thënë Rames japim dorëheqjen që të dy dhe futemi së bashku në zgjedhje dhe e kemi të sigurt fitoren, sa qëndron ky skenar?
Meta: S’e kemi diskutuar një gjë të tillë.
Çani: A të ka thënë Rama se për aq kohë sa të ketë ambasadorin Lu pas vetes do i bindë disa deputetë të opozitës të votojnë vetingun për interesat e kombit?
Meta: S’është e vërtetë.
Çani: A je për qeveri teknike?
Meta: E rëndësishme është që opozita të vijë në parlament, të vazhdojë axhenda dhe dialogu bashkë me OSBE ODIHR dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për të zgjidhur disa nga çështjet që janë të mundshme për t’u zgjidhur për zgjedhjet e 18 qershorit.
Çani: Ti refuzon çdo lloj forme të një qeverie tjetër që do çonte vendin në zgjedhje?
Meta: Ajo që për mua është e papranueshme është rruga e ultimatumit. Çdo gjë që është e mundur për t’u realizuar, do diskutohet, duhet të realizohet.





