DURRËS, 7 gusht 2014 – Komuna e Bubqit në Krujë përfiton një investim qeveritar prej rreth 165 mijë eurosh për rikonstruksionin e rrugës ku dë kalojë Papa Françesku më 21 shtator 2014 drejt qendrës katolike për jetimë “Betania”.

Më 6 gusht 2014, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për një shtesë fondi fondi prej 22 709 962 lekësh [rreth 165 mijë euro] në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës për Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe Ministrinë e Kulturës, për mbulimin e shpenzimeve që do të kryhen për rikonstruksionin e rrugës pranë shoqatës “Betania” [administrata e ekzekutivit shqiptar e shkruan gabim emrin e shoqatës:  Petania!], në fshatin Bubq të komunës me të njëjtin emër në rrethin e Krujës, në kuadër të organizimit të punëve në vijim të ardhjes në Shqipëri të Papa Françeskut.

Sipas agjendës së bërë publike nga Kisha Katolike e Shqipërisë, më 21 shtator 2014, para largimit nga Shqipëria, ora 18:30, Ati i shenjëtë do të takojë fëmijët e qendrës “Betania” në fshatin e Bubqit, afër Llixhave, ku trajtohen fëmijë të grupmoshave 0-3 vjeç dhe 3-14 vjeç.

Info / SHOQATA BETANIA

Betaniau themelua në Shqipëri, në vitin 1998, në fshatin Bubq të Krujës si qendra e parë misionare jashtë Italisë, pas një udhëtimi në atë vend, gjatë të cilit themeluesja e saj Antoneta Vitale mundi të prekte nga afër kushtet e mjerueshme të popullsisë.

Dhe pikërisht përballja konkrete me këtë përvojë të re varfërie në një vend kaq afër Italisë, e bindi shoqatën që të ndërmerrte hapat e duhura të cilat do të sillnin vullnetarët e parë që do të fillonin punën.

U mor me qira shtëpia e parë që mirëpriti fëmijët e mbërthyer nga varfëria, viktima të braktisjes, abuzimit e dhunës, jetimë apo që kanë vetëm një nga prindërit.

Shtëpia administrohet nga vullnetarët, misionarë laikë italianë, të cilat vendosën që të shpërnguleshin aty për të kryer punën.

Godina bëhet shumë shpejt e pamjaftueshme për shkak të kërkesave të vazhdueshme të mikpritjes.

Pas blerjes së një toke vetëm pak kilometra nga komuniteti i parë, po konsiderohen mundësi të reja: nga puna e palodhur e të gjithë  vullnetarëve lindi bërthama e parë e kompleksit “Fshatit Betania”, që përbëhet nga 10 “shtëpiza”, të dhuruara nga bamirës të ndryshëm.

Nga shtëpiza e parë fëmijët janë transferuar në “shtëpi të vogla”, që janë të ndara sipas moshës dhe gjinisë.

Nga Italia dërgohen, sipas mundësive, kamionë me ndihma humanitare: ngarkesa me ushqime, veshje, mobilie, dyshekë, karroca për invalidët etj.

Ky material shërben për nevojat e komunitetit, si dhe për të ndihmuar familjet nevojtare që vijnë nga fshatrat përreth: janë më se 1.500 bërthama që marrin përkrahje konkrete dhe të vazhdueshme.

Fshati u përurua më 14 qershor 2005 nga ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu në praninë e arkipeshkvit të Durrësit dhe të Tiranës, Imzot Rrok Mirdita dhe autoriteteve të tjera që morën pjesë në këtë ceremoni.

Por shumë shpejt, duke qenë se kërkesat për ndihmë dhe strehim filluan të shtoheshin, Shoqata vendosi të rriste angazhimin në tokën shqiptare.

E kështu lindi projekti për të akomoduar fëmijë dhe të rinj të moshave nga 0 deri në 18 vjeç, me ndërtimin e një godine të madhe, të quajtur “Shtëpia e Engjëjve”, sipas dëshirës së fëmijëve.

Në vitin 2007, “Shtëpia e Engjëjve” është gati: me zyrat e shoqatës, kuzhinën dhe mensën që i shërbejnë tërë fshatit dhe një shkollë për mysafirët e vegjël të moshave 3 deri 5 vjet, përveç banesës.

Prania e  Betanias në territorin shqiptar ka mundësuar identifikimin e nevojave të para konkrete dhe kryerjen e masave të para urgjente me karakter social.

Prandaj, që në fillim u vendos që të merret përsipër shpërndarja e ushqimeve për familje në nevojë; ristrukturimi i shkollave të Bubqit dhe Tarit me banka, pajisje dhe artikuj shkollorë, si dhe për zyra e kancelari; ristrukturimi i ndërtesës së komunës së Bubqit me pajisje të mobiluara; ristrukturimi i stacionit të policisë së Durrësit me pajisje të mobiluara; ndihma ndaj pavijoneve të maternitetit të Lushnjës e Lezhës dhe sigurimi i pajisjeve të ekografisë, inkubatriçe, djepa termikë dhe shtretër për vizita mjekësore; përfundimi i ujësjellësit të Bubqit e Murrinës; sistemimi i rrugëve të fshatrave të Mallkuçit e Murrinës; dhënia e ndihmave ndaj banorëve të zonave të përmbytura në Fushe Kruje e Arst-Miliska, me anë të ushqimeve dhe batanijeve; dhënia e ndihmës në burgjet e Krujës, Burrelit dhe Lezhës, duke iu dërguar ushqime (për të vendosur një dietë të përditshme në kufijtë e mbijetesës), veshje, produkte të higjienës personale, dyshekë me sfungjer, ilaçe, si dhe pajisje kuzhine dhe gjeneratorë elektrikë.

Një nga shërbimet e ofruara nga komuniteti i Bubqit është shpërndarja e ndihmave për familjet në nevojë që vijnë në Fshat, e paraqesin nevojat e tyre.

Përveç fëmijëve, ka dhe shumë njerëz të moshuar që i drejtohen për ndihmë  Betanias.

Rreth 80 të moshuarve që nuk marrin asnjë ndihmë nga autoritetet lokale, u jepet një kontribut mujor prej 10 euro, për blerjen e ushqimeve dhe medikamenteve.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/