DURRËS, 26 shkurt 2015 – Të mërkurën, më 25 shtator 2015, Këshilli i Ministrave vendosi shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Porto Romano-Durrës, loti I në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 4 478 606 lekësh, nga të cilat: për pasurinë “truall”, me sipërfaqe 868 metra katror me vlerën 2 867 004 lekë; për objekte, me vlerë shpronësimi 1 611 602 lekë.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit do të përballohet nga buxheti i vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar. Likuidimi i pronarëve do të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar. Pronarët e pasurive të listës, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar [shih: http://www.arrsh.gov.al/te-ngarkuara/pdf/Dokumentat-per-shpronesim.pdf – “Dyrrah”-u]. Brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, do të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, do të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës do të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
Info / Ndërtim rruga Porto Romano, loti I
Mbikëqyrësi i punimeve: “GEOSAT Group” shpk
Sipërmarrësi i punimeve: “SIAC shpk & ALB-BILDING shpk”
Projektuesi: “AF – I.T.P.” shpk (sot “ITP – InfraTransProject” shpk)
Vlera e kontratës: 562 556 482 lekë (me TVSh)
Të dhëna mbi objektin: gjatësia prej 2 100 ml, gjerësia 26 m, 2 korsi nga 3.75 m, korsi emergjence 3 m, kuneta 2×0.75 m, brezi ndarës 2.6 m. (Burimi: (http://www.arrsh.gov.al/projekte-me-financim-te-qeverise-shqiptare/sinjalistike-rrugore/ndertim-rruga-porto-romano-loti-1)
/përgatiti: th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





