DURRËS, 28 prill 2014 –  Në zbatim të programit të Qeverisë dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në fushën e punësimit, për vitin 2014 nga Buxheti i Shtetit është  akorduar një fond prej 270.000.000 lekë për zbatimin e programeve të Nxitjes  së Punësimit, njoftoi më 28 prill 2014 Shërbimi Kombëtar i Punësimit.

Sipas këtij burimi zyrtar, Këshilli Administrativ Trepalësh i Shërbimit Kombëtar të Punësimit në mbledhjen e datës 24 prill 2014, shqyrtoi dhe miratoi detajimin e fondit të buxhetit të shtetit të akorduar për vitin 2014 për zbatimin e programeve të nxitjes së punësimit.

Kështu për Durrësin u dhanë 35 milionë lekë dhe për Krujën 10 milionë lekë, në total si qark janë miratuar 45 milionë lekë, shifër që përfaqëson 16, 6 për qind të fondit në shkallë vendi.

Qarku Durrës-Krujë është qarku i dytë për shifrën e përfitimit pas atij të Tiranës, ku kryeqytetit plus Kavajës iu dhanë 570 880 000 lekë, që përfaqëson 21, 4 për qind të totalit.

Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka njoftuar të gjithë punëdhënësit e interesuar për këto programe, të kontaktojnë me Zyrat e Punësimit ku zhvillojnë aktivitetin për t’u informuar dhe aplikuar mbi programet e nxitjes së punësimit.

Info 1

Sipas statistikave zyrtare të INSTAT-it, në fund të tremujorit IV të vitit 2013, nga 143 947 të papunë në shkallë republike, në qarkun Durrës-Krujë ishin regjistruar 9 161 punëkërkues të papunë, ose  6,3 për qind e totalit, por merr 16, 6 për qind të fondit për nxitjen e punësimit në shkallë vendi.

Kurse qarku Tiranë-Kavajë kishte numrin më të madh të papunëve, 20 596 të tillë të regjistruar, ose 14.3 për qind të totalit, por merr 21, 4 për qind të totalit të fondit për nxitjen e punësimit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/