TIRANE, 14 mars 2013 – Qeveria do të paguajë 900 mijë euro studion avokatore, e cila do të sigurojë mbrojtjen ligjore të saj në Gjykatën Ndërkombëtare për procesin ndaj CEZ-it.
Më datë 20 shkurt, qeveria ka vendosur të autorizojë ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për lidhjen e shtesës së kontratës me studion ligjore ndërkombëtare “Derains e Gharavi”, e cila është përzgjedhur përmes një procedure konkurruese për të ofruar këshillim ligjor për këtë ministri.
Objekt i shtesës së kontratës të jetë përfaqësimi i Republikës së Shqipërisë dhe METE-s, nga ana e studios ligjore, në arbitrazhin ndërkombëtar kundër shoqërisë CEZ në cilësinë e paditësit ose të paditurit kundërpaditës.
Shpenzimet për pagimin e studios së huaj të avokatisë, në vlerën 900 mijë euro, do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2013, theksohet në Vendimin e Këshillit të Ministrave.





