Plot 600 dënuar pritet të përfitojnë nga aministia e Ministrisë së Drejtësisë.
Mësohet se drafti i është dërguar për mendim Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme
Në amnisti nuk përfshihen personat që kanë kryer vrasje, të dënuarit për krime seksuale
Kush përfiton
Ajo që vlen të theksohet është se amnistia e këtij vitit pritet që t'u japë prioritet grave dhe të moshuarve të dënuar. Nga amnistia përfitojnë të dënuarit për vepra të lehta penale me dënime nga 6 muaj deri në një vit burg. Amnistohen gjithashtu personat e dënuar me burgim, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baraz ose nën moshën 18 vjeç, përjashto ata që kanë kryer vrasje ose krime të tjera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Në projektligjin e propozuar nga qeveria, parashikohet të përfitojnë nga amnistia, të gjithë personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me burgim deri në tre vjet, për dënime të dhëna deri më 30 nëntor 2018, pavarësisht kohës që u mbetet për të vuajtur. Gjithashtu, amnistohen të gjithë personat e dënuar me burgim, të cilëve deri në datën e hyrjes së fuqi të ligjit, u kanë mbetur pa vuajtur një periudhë deri në dy vite burgim.
Përjashtohen nga amnistia
Përjashtohen nga amnistia ata që janë me burgime të përjetshme, të dënuarit për dhunë në familje, krime seksuale dhe korrupsion i zyrtarëve të lartë.Në draft parashikohet gjithashtu se “nuk përfitojnë nga amnistia, as të dënuarit për krime që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokrat të zgjedhjeve”. Një tjetër kategori që përjashtohet janë edhe personat të cilët i janë shmangur drejtësisë.
Amnistia rikthehet pas 2 vitesh. Për herë të fundit të dënuarit kanë përfituar lirinë në vitin 2016 kur lanë qelitë mbi 700 të burgosur. Ndërsa vitin e kaluar amnistia nuk u aplikua. Të drejtën për të amnistuar të dënuarit e ka edhe Presidenti. Nga ana e tij, kreu i shtetit Ilir Meta ka paralajmëruar se nuk do amnistojë asnjë të dënuar për vepra penale si dhunë në familje apo dhe krime seksuale.





