Nga Kleo Kostenja
Teksa po ndiqja Kryetarin e Bashkisë së Tiranës në Opinion, më shumë i shtyrë prej kureshtjes se si planifikon ai të vazhdojë të kthejë metropolin shqiptar në shërbim të oligarkëve të partisë-shtet, ajo që më tërhoqi më shumë vëmëndjen ishte terminali i ri i autobusëve i planifikuar të ndërtohet në kthesën e Kamzës dhe ndërtimi i 17 shkollave te reja. Kryetari i Bashkisë, në vazhdimësi të premtimeve, tha se projekti i terminalit i cili kap vlerën e 15 milionë euro do të ndërtohet me anë të Partneritetit Publik-Privat, ndërsa mashtroi kur u pyet për financimin e shkollave të reja. Për ata që nuk iu kujtohet, qeveria e sotme e nisi mandatin e dytë të qeverisjes me premtimin për të filluar një sërë projektesh në infrastrukturë, pjesë e planit zhvillimor 1 Miliard Euro. Plan, i cili prej skandaleve të njëpasnjëshme të qeverisë kapitulloi vetëm me prokurimin e 1 projekti infrastrukturor.
PPP kanë lindur si një nevojë e sektorit publik për të financuar dhe për të transferuar riskun drejt sektorit privat. Për PPP nuk ka një përkufizim të qartë e konciz, por në formën e tyre origjinale konsiderohen si një formë prokurimi ku sektori privat eshte projektuesi, financuesi, ndërtuesi dhe menaxhuesi i projektit për një periudhe të caktuar kohe. Teorikisht në një vend ku funksionojnë rregullat e garës së lire, kjo formë prokurimi është një situatë win-win, si për sektorin publik ashtu dhe për atë privat. Por duke patur parasysh nivelin e lartë të korruspionit, mungesën e garës në fazën e tenderimit, mungesën e legjislacionit, mungesën e një strategjie reale dhe një analize për përfitimet që do të sillnin PPP-t në Shqipëri, kjo është një situatë ku përfitojnë një grusht biznesmenësh e politikanësh dhe zhvaten taksapaguesit shqiptarë.
Duhet patur parasysh se vënde si Britania e Madhe, ku PPP kanë nisur që në kohën e Norman Lamont në 1992, dhe patën një boom gjatë kohës së Tony Blair, kanë ndaluar përdorimin e PPP dhe në buxhetin e vitit 2019 NUK kanë parashikuar asnjë fond të ri për këtë formë prokurimi. Edhe pse konservatorët bënë ndryshime rrënjësore në skemën e PFI (Private Finance Initiative) duke prodhuar PF2, përsëri nuk u arrit të argumentohej nga departamenti i infrastruktures që kjo skemë arrin të sjellë benefite që nuk mund të arrihen me anë të metodave të tjera të prokurimit. Për të identifikuar avantazhed dhe benefitet që PPP sjellin në një projekt të caktuar fillimisht duhet te bëhet një analize risku e më pas një analize e bazuar në 3E-të (eficensë, efikasitet dhe ekonomi).
Doja t’ju shtroja disa pyetje Kryeministrit dhe Kryetarit te Bashkise Tiranë:
- Në cfarë analize e studimi u bazua plani 1 Miliard Euro, e pse asnjëherë nuk janë bërë publike?
- A ka një plan Kryetari i Bashkisë te ndërtojë shkollat e reja në Tiranë duke përdorur PPP? Nëse po, cfarë analize e studimesh janë bërë për projektet më të fundit PPP nga Bashkia Tiranë?
- Kur vënde demokratike si Britania e Madhe, ku realisht funksionojnë institucionet, ku ka një legjislacion të qartë prokurimi e tenderimi, te cilat sigurojnë garën e lirë dhe mbrojnë taksapaguesit, heqin dorë nga PPP, cfarë i shtyn ligjvënësit e drejtuesit lokal shqiptarë drejt PPP?!
PPP kanë rezultuar shumë efikase dhe fitimprurëse në shumicën e rasteve për kompanitë konrataktuese. A mos janë fitimet marramëndëse të kompanive e biznesmenëve përfitues të PPP arsyet e vertëta që shtyjnë Kryetarin e Bashkisë dhe Kryeminstrin e Shqipërisë drejt zhvatjes se shqiptarëve?