Qeveria e laburistëve në pushtet, në Britaninë e Madhe, pritet të publikojë në ditët në vijim planin e saj për një menaxhim ndryshe të emigracionit, pasi numri i njerëzve që kanë kaluar “Kanalin” ka arritur një moment të ri historik. Sipas “Sky News”, gjatë mëngjesit të kësaj të diele dy varka të vogla u kapën në Kanal me dhjetëra emigrantë në bord, duke e çuar numrin e kalimeve që nga korriku në më shumë se 20,000. Këto janë kalimet e para që nga 16 nëntori.

Përpara kësaj date, 19,988 kalime ishin regjistruar që kur laburistët fituan zgjedhjet më 4 korrik. Totali për vitin, pa përfshirë natën e kaluar, sipas shifrave zyrtare është 33.562 emigrantë. Ministri i qeverisë Pat McFadden i tha Sky se Mbretëria e Bashkuar “do të ketë gjithmonë nevojë për migrim”, por kjo duhet të balancohet me trajnimin e fuqisë punëtore britanike, në mënyrë që “të mos jenë të varur nga migrimi”. Ai tha se laburistët do të publikojnë një plan këtë javë që vjen për të reduktuar migrimin legal dhe ilegal.