TIRANE- Qeverisë shqiptare i ka kushtuar 80 000 000 (tetëdhjetë milionë) lekë, lobimi për tërheqjen e financimeve shtetërore dhe private në fusha me interes për Shqipërinë, nga agjenci të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga vende të tjera të botës, si dhe agjenci të tjera ndërkombëtare. Në këtë mënyrë qeveria u është kundërpërgjigjur akuzave të opozitës, duke bërë transparencën e plotë të fondeve që kanë shkuar për lobimin që, sipas saj nuk bëhen për fushatën elektorale të PD-së, por për tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Burime zyrtare pranë Këshillit të Ministrave konfirmuan dje se përfituese e shumës prej 80 milion lekësh është kompania amerikane "Patton Boggs".

Sipas vendimit të qeverisë të datës 29 janar 2013, Kryeministrisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2013, zëri "Shpenzime korente", i shtohet fondi prej 80 000 000 (tetëdhjetë milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve për shërbime të lobimit, me qëllim kryesor identifikimin dhe tërheqjen e financimeve shtetërore dhe private në fusha me interes për Shqipërinë nga agjenci të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga vende të tjera të botës, si dhe agjenci të tjera ndërkombëtare. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Buxhetit të Shtetit. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Kryeministria për zbatimin e këtij vendimi.

Vendimi bazohet në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45 të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008 "Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë" dhe të nenit 13 të ligjit nr. 119/2012 "Për buxhetin e vitit 2013", dhe është bërë me propozim të ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit. Para pak ditësh opozita akuzoi qeverinë se ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë amerikane "Patton Bogs" për qëllime elektorale, ndërkohë që në një reagim të tij, ministri i Inovacionit, Genc Pollo bëri të ditur se marrëveshja ka qëllim tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

Sipas Pollos, kontrata e publikuar në media është një draft, një dokument pune i përdorur gjatë fazës së negocimit dhe kontrata ende nuk është nënshkruar. Ministri Pollo bëri të ditur se kontrata nuk është e re, por është një rinovim i kontratës ekzistuese, e nënshkruar në vitin 2010 dhe nuk lidhet me fushatën elektorale të vitit 2013. Sipas z.Pollo, shërbimet e firmës ligjore "Patton Bogs" kanë të bëjnë me tërheqjen e investimeve amerikane në Shqipëri, kanë të bëjnë me nxitjen e legjislacionit të Kongresit të SHBA-ve, që është i favorshëm për Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, për nxitjen e qëndrimeve të favorshme për Shqipërinë, si dhe për çështjen shqiptare nga ekzekutivi amerikan. Sipas Pollos, këto shërbime promovojnë imazhin pozitiv të Shqipërisë dhe njohurive korrekte për vendin tonë.