TIRANË, 19 prill 2013 – Tani zyrat e degës së Thesarit të Durrësit nuk janë më në ndërtesën e përbashkët të Tatim-Taksave dhe degës së PD-së.

Më 18 prill 2013, Këshilli i Ministrave vendosi që ndërtesa e ish-drejtorisë së doganave, që administrohet nga Autoriteti Portual Durrës, t’i kalojë Ministrisë së Financave për të “strehuar” degën e thesarit në një sipërfaqe 235,7 metra katrorë.

Me këtë rast, u bë një ndryshim në vendimin nr. 586, datë 10.9.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listave të inventarëve të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat u kalojnë në përgjegjësi administrimi shoqërive anonime dhe ndërmarrjeve të sistemit të transportit detar dhe ajror”.

Vendimi i Qeverisë ngarkon Ministrinë e Financave, Ministrinë e Brendshme, Autoritetin Portual Durrës dhe Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, të ndjekin dhe zbatojnë procedurat e nevojshme për zbatim.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/