Qeveria daneze paraqiti sot një projekt-ligj të amenduar që ndalon djegien e kopjeve të Kuranit në tokën e saj, pas kritikave ndaj versionit të parë të tij.

“Projektligji u ngushtua për të synuar në mënyrë specifike keqtrajtimin e shkrimeve me rëndësi të veçantë fetare,” tha Departamenti i Drejtësisë në një deklaratë. Fillimisht, projektligji duhej të mbulonte djegien e të gjitha objekteve me rëndësi të veçantë fetare.

Projektligji tani pritet të diskutohet në një takim më 14 nëntor nga Parlamenti Danez, Folketing.

Në fund të gushtit, qeveria kishte njoftuar se donte të nxirrte ligj mbi këtë çështje pasi djegia e kopjeve të Kuranit në tokën e saj shkaktoi zemërim në vendet myslimane dhe kërcënime ndaj sigurisë kombëtare.

Në Irak, për shembull, qindra protestues, mbështetës të liderit fetar Moqtada Sadr, u përpoqën në fund të korrikut të marshonin në drejtim të ambasadës daneze në Bagdad.

Projektligji i parë kishte shkaktuar kritika nga disa, të cilët e konsideronin atë si rikthim në krimin e blasfemisë dhe nga ana tjetër nga avokatët, të cilët kishin frikë se do të kishte vështirësi në zbatimin e tij.

“Me ndryshimet që ne po propozojmë sot, ligji do të jetë më i lehtë për t’u kuptuar, nga policia dhe gjykatat,” tha në një deklaratë Ministri i Drejtësisë Peter Hummelgaard, duke vënë në dukje se kërcënimi terrorist në vend është intensifikuar.