Qeveria shqiptare ka planifikuar të nënshkruajë edhe tre kontrata të reja koncesionare në infrastrukturën rrugore dhe aeroportuale. Ndër to spikat dhënia me koncesion e Autostradës, Tiranë – Durrës kundrejt vlerës 49 miliardë lekë ose rreth 385 milionë euro. Projekti përfshin ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës.

Projekte të reja janë autostrada Kashar-Rrogozhinë me 84 miliardë financim, ose 660 milionë euro. Gjithashtu kontrata e koncesionit për aeroportin e Vlorës parashikohet të financohet me PPP me 14 miliardë lekë, ose rreth 110 milionë euro dhe aeroporti i Kukësit me një vlerë 884 milionë lekë, ose rreth 5 milionë euro.

Të gjitha koncesionet reja, që pritet të nënshkruhen vitin që vjen me PPP, përfshijnë shkollat në Tiranë, Spitalin rajonal të Fierit, 6  akse rrugore dhe dy aeroporte kushtojnë gjithsej 262 miliardë lekë, duke e kaluar vlerën e 2 miliardë eurove.

Pjesa e pagesave nga buxheti për koncesionet PPP po zgjerohet nga viti në vit, për shkak të nënshkrimit të kontratave të reja.

Ministria e Financave programon të paguajë vitin tjetër për financimin e koncesioneve rreth 12,6 miliardë lekë ose rreth 100 milionë euro me kursin aktual të këmbimit, sipas programit të projektbuxhetit 2019, me një rritje 72% ne krahasim me faktin e këtij viti.

Vitin që vjen janë parashikuar të financohen 12,6 miliardë lekë  nga 7,3 miliardë lekë të planifikuara për t’u paguar këtë vit.  Në fillim të vitit 2018 ishin planifikuar 9.3 miliardë lekë financime për koncesionet, por moshyrja në fuqi e kontratës së koncesionit të shërbimit laboratorik dhe për inceneratorët e kanë ulur shumën e financimit në 7.3 mld lekë.

Ministria e Financave sqaron se shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik Privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor. Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme, për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore.

Gjithashtu Ministria e Financave vlerëson se financimi i kontratave koncesioneve është një nga rreziqet më të mëdha që i kanosen stabilitetit të financave publike.

Burimi: Monitor