Tiranë, 6 mars 2014– Enti Kombëtar i Banesave do të blejë apartamente për të pastrehët, nga stoku i banesave të kompanive të ndërtimit që nuk jane shitur apo apartamente që i kanë kaluar bankave për shkak të kredive të pashlyera, por me koston që do t’i duhej Entit të ndërtonte dhe jo me çmimin e tregut. 

“Synojmë që të kapim ato banesa, të cilat në njëfarë mënyre janë të bllokuara dhe nuk shiten për arsye nga më të ndryshmet. Ne synojmë të kapim ato banesa, të cilat janë në treg me çmim të barabartë apo përafërsisht të njëjtë me koston e ndërtimit të Entit Kombëtar të Banesave. Kosto e ndërtimit nga Enti Kombëtar i Banesave luhatet për qytete të ndryshme, diku tek 33-35 mijë lekë të reja për metër katror”, thotë drejtoresha e Entit, Doris Andoni.

Per vitin 2014, Entit i eshte miratuar nje fond prej 100 milionë leke të reja për blerjen e apartamenteve në të gjithë vendin, ku sipas informacioneve te grumbulluara deri me tani, Durresi ka një numër të madh apartamentesh të pa shitura. Doris Andoni thote se në një fazë të dytë, do të përcaktohet se si do t’u shiten më pas këto apartamente të pastreheve.

Deri në vitin 2009 janë regjistruar gjithsej 17 mijë familje të pastreha, që i përkasin kategorive të ndryshme. Por, numri i tyre mendohet të jetë shumë më i lartë aktualisht, duke llogaritur edhe ato familje që iu shtuan listës së të pastrehëve për shkak të zbatimit të Aktit Normativ për kthimin e banesave ish-pronarëve.

Në vend, përllogaritet se janë të paktën 20 mije apartamente të mbetur pa shitur të perqendruara në qytetet Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Sarandë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/