Nga Bledian Koka
Nëse i kërkohet një mendjeje të ftohtë të japë një përkufizim për modelin e qeverisjes, fjala e para do të ishte, pa diskutim: qeveria e aksioneve. E aksionit kundër informalitetit, kundër kultivimit të lëndëve narkotike, aksionit kundër vjedhjes së energjisë, aksionit kundër karburanteve, kundër lojërave të fatit, aksioni kundër ndërtimeve pa leje, ai në administratë apo edhe ndonjë gjysmë aksioni tjetër.
Po çfarë produkti final kanë dhënë këto aksione, gjysma e lënë rrugëve e gjysma me produkt gjysmak, dhe për këtë vlen të theksohet se dy gjysma kurrë nuk bëjnë një të plotë. Më së pari duhet thënë që, të arsyetuara në letër, aksionet justifikojnë angazhimin, por produkti nuk pritet tashmë sepse ai është i matshëm, jo për rezultatin, por për pasojat. Shpejt, aksioni më i fundit, ai për luftën kundër informalitetit, ka marrë trajtën e një teatri absurd, ku viktimat e para, besojeni ose jo, janë dy berberë dhe një bari që shiti delet pa kupon.
A e di njeri se sa është kostoja reale e një qethjeje, a ka një çmimdysheme për qethjen apo një ligj që rregullon këtë profesion? Mund të duket pyetje naive, por në fakt është e qenësishme për të kuptuar se, më së paku, ata dy berberë janë arrestuar me pa të drejtë, e më së shumti, është një akt represiv i një qeverie që s’di ç’bën. A mundet sot dikush të thotë se sa kushton një dash? A ka një regjistër të plotë Ministria e Bujqësisë për bagëtinë në vendin tonë? A është vetëpunësimi si bari “freelance” një profesion i rregulluar me ligj? Përgjigjja është: Jo! Atëherë, me cilën logjikë ligjore një ‘tatimor’ merr guximin të arrestojë një qytetar të lirë të këtij vendi nën damkën e evazorit fiskal?
Rastet janë të panumërta, por problemi është i njëjtë: aksioni kontraston me vetë qëllimin që ai ka në vetvete, luftën ndaj informalitetit, që fillimisht nga kryeministri Rama u tha se të parët në rrjetën e ligjit do filtroheshin “peshqit e mëdhenj”. Është fakt që, deri tani, nuk ka pasur asnjë aksion të propaganduar në dyqanet e kompanive të mëdha, sepse aty aksionistëttatimorë nuk kanë shkelur, e nuk kanë ndërmend të shkelin. Kush ma fakton të kundërtën, është i mirëpritur. A e dini se para këtij aksioni kryeministri Rama paralajmëroi këtu e 3 muaj më parë një aksion shumë të mirëpritur nga shqiptarët, atë për cilësinë e karburanteve?
Sot e 3 muaj më pas, as vetë Rama nuk është në gjendje të thotë se kush ishte qëllimi i asaj konference, ku “aksioni” në vetvete, me shumë gjasë filloi dhe mbaroi brenda 45 minutave ligjërim të “ideatorit” të aksionit, në ekran. A nuk marrim sot ne të njëjtën cilësi skandaloze karburanti në automjetet tona, për të mos folur për çmimin që një Zot e di pse ne shqiptarët e paguajmë edhe më shtrenjtë se “frëngu naftën”?!
Aksioni antikanabis ishte gjithashtu një operacion që qeveria edhe sot e kësaj dite e mban një si një spaletë më shumë në kostumin e saj 2vjeçar, por sigurisht, me zë më të ulët sesa një vit më parë, kur shteti “mori” Lazaratin. Çfarë ndodh sot? Nuk ka fshat të vendit, nga veriu deri në jug, ku avionët e policisë italiane nuk kanë evidentuar parcela hashashi, aq sa Lazarati sot duket një “bukuroshe e fjetur” që policia do kishte dashur kurrë të mos e zgjonte.
Fluturimet e avionëve ultra të vegjël që operojnë ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë janë kthyer në një normalitet anormal, aq sa në Itali, besojeni ose jo, ka dy rryma ‘pro’ dhe ‘kundër’ punës së qeverisë shqiptare. Njëra anë, që është Polizzia di Statto e që përgënjeshtron palën shqiptare kur kjo e fundit thotë se avionët nuk vijnë nga Shqipëria, dhe Guardia di Finanza, që deklaron 8 herë më pak lëndë narkotike të mbërritur nga Shqipëri në tokën italiane. Ndërkohë që, kapakun këtij rivaliteti ‘pro’ e ‘kundër’ ia vuri një raport i parlamentit italian, në të cilin thuhej se në vitin 2014, nga Shqipëria në Itali erdhi 500 herë më shumë drogë se një vit më parë. Aksioni për ndërprerjen e energjisë elektrike ndoshta është ndër të paktat veprime që vuri një lloj rregulli në sistemin energjetik shqiptar, por efekti në xhepat e shqiptarëve, me një të rënë të lapsit, ka qenë vërtet shumë i rëndë.
6 persona kanë vrarë veten për shkak të pamundësisë për të përballuar borxhet që kishin ndaj OSHEEsë, e nëse 6 jetë nuk mjaftojnë për të treguar se aksioni ishte i keqorganizuar, atëherë edhe arsyetimi i mëtejshëm është i pamundur. Aksioni për mbrojtjen e territorit ka prodhuar deri më sot këto rezultate. 1 të fituar, që është vjehrri i Lulzim Bashës, dhe banorëve të pallatit të tij që u shemb nga INUKu në Vlorë, 1 drejtor të INUKut në prag të burgosjes me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, një konflikt influencash brenda mazhorancës në segmentin Ministri e BrendshmeKryeministri për kompetencat e INUKut, dhe një sektor kyç për ekonominë shqiptare, si ndërtimi i cili prej dy vjetësh pothuajse është inekzistent. Nisma e premtuar që në fushatën e 2013ës për funksionimin e administratës publike ka marrë në heshtje së fundmi një goditje nga e njëjta qeveri.
Në një VKM të miratuar së fundmi e që pritet të marrë formën ligjore në Kuvend, qeveria parashikon që shteti ka të drejtë të mos e kthejë në punë një nëpunës i cili fiton gjyqin në rast të largimit të padrejtë. E në fund, dy fjalë për aksionin e parë të kësaj qeverie, atë kundër lojërave të fatit. Dështimi më spektakolar! Sot e gjithë ditën, pikat e basteve dhe të kazinove jo vetëm që nuk janë mbyllur, por janë shtuar edhe me kompani të reja. Aksioni i parë i kësaj qeverie ishte edhe vetë fundi i logjikës së aksioneve partizançe që në krye të herës.
Ky aksion vulosi eksperimentin e dështuar të një kabineti që erdhi në pushtet pa një plan konkret qeverisjeje, pa një strategji të qartë zhvillimi, pa një ekuacion real që do të prodhonte atë që u propagandua aq fort para 23 qershorit 2013: 300 mijë vende të reja pune, taksa më të ulëta për biznesin, rritje të pagave dhe pensioneve, një shtet ligjor funksional, e si rezultat një jetë më të mirë për shqiptarët. Aksionet e mësipërme të qeverisë mbeten qartazi dhe vetëm një zvarritje guerilase, drejt një finishi që janë zgjedhjet e vitit 2017, në mos ndonjë “alternativë e parakohshme” në 2016ën, dhe e gjitha kjo, gjithmonë në kuadrin e një aksioni.
/Balkanweb/