PRISHTINË, 17 tetor 2013 – Kosova zyrtare plas skandalin e doktoraturave që japin demokrati Henri Çili në UET dhe ish-ministri socialist i Ekonomisë Leontiev Çuçi në “Kristal”. Prishtina dyshon në doktoratat që jepen në Tiranë nga Universiteti Europian i Tiranës, me administrator analistin e njohur Henri Çili dhe president ekspertin e shquar ekonomik Prof. Dr. Adrian Civici, si dhe universiteti “Kristal” me rektor Dr. Leontiev Çuçi. Është e përditshmja “Zëri” e Prishtinës (shih faksimilen) në numrin e 17 tetorit 2013 që ka siguruar një intervistë me kreun e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, Ferdije Zhushi-Etemi. Ajo zbulon prapaskenat e institucioneve të larta mësimore jo-publike në Shqipëri. Është interesant fakti që mediet e Tiranës, me sa duket, për solidaritet me kolegun dhe për shkak se marrin reklama nga universitetet private shqiptare, e kanë injoruar “bombën” nga Prishtina, Ja teksti i plotë i shkrimit në “Zëri.

Bordi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) ka vendosur që t’u bëjë “bllok” doktoratave të dyshimta nga Shqipëria, të cilat, sipas tyre, nuk ofrojnë kurrfarë sigurie për vlefshmërinë e tyre.

Kryetarja e AKA, Ferdije Zhushi-Etemi, gjatë një interviste për “Zërin” ka thënë se institucioni që ajo e drejton nuk do të lejojë të hyjnë në tregun e Kosovës as diplomat që merren në universitetet e rajonit, për të cilat ekzistojnë dyshime për vlefshmërinë e tyre.

Dyshimet e agjencisë, sipas kryetares së këtij këshilli, Zhushi-Etemi, janë fokusuar në studimet e doktoratës në Universitetin Evropian të Tiranës (UET).

 “Universiteti Evropian i Tiranës është institucion privat i themeluar para dy-tri viteve dhe rrezikon të lëshojë diploma të doktoratës pa asnjë kontroll. Një numër i madh i kandidatëve dhe në Kosovë duke mos pritur që AKA-ja të akreditojë doktoraturën sipas kritereve, janë regjistruar të marrin diploma në këtë universitet në fushën e ekonomisë, juridikut dhe shkencave sociale”, ka thënë Zhushi-Etemi, duke shtuar se vetë kriteri i regjistrimit të kandidatëve është i ulët.

Për të arsyetuar këtë, ajo thekson si dëshmi kriterin e pranimit, që sipas saj është “merren të hollat”, dhe kandidati kalon kushtin për të vijuar studimet në UET. Ajo bën të ditur për gazetën se është bërë trend që nëse kërkohet doktoratë për një vend pune në Kosovë të sillet brenda disa ditëve vërtetimi se kandidati bën doktoratën në UET.

Diplomat në “tezga”

 “Argument tjetër se cilësia është e ulët në këtë institucion, është se ky institucion me veç dy vite përvojë ka të regjistruar 300 kandidatë në vit në doktoratë”. AKA-ja, sipas saj, po tenton që nëpërmjet standardeve të veta të mbrojë tregun kosovar të arsimit të lartë nga diplomat me cilësi të ulët.

“Madje, edhe disa programe të doktoratës në UP nuk janë akredituar, përkundër presioneve që ka UP-ja, me qëllim që këto doktorata me të vërtetë të ofrojnë cilësi dhe të jenë të krahasueshme me ato të vendeve evropiane. Për më tepër, asnjë institucion privat në Kosovë, edhe pse disa me përvojë 10 vjeçare, nuk ofrojnë programe të doktoratës”, potencon ajo.

Zhushi-Ethemi bën të ditur se këshilli ka penguar nëpërmjet standardeve të veta që diplomat e doktoratës dhe cilësia në këtë nivel të ofrohen nëpër sportele apo “tezga” të shitjes. Ajo nuk ka mohuar se është pyetur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) lidhur me Universitetin Evropian të Tiranës (UET).

AKA -ja bën apel se nuk do të njohë këto diploma. Zhushi-Etemi ka thënë se sipas ligjit në fuqi mund të njihen vetëm diplomat e institucioneve nga vendet e tjera që agjencitë e akreditimit i kanë të anëtarësuara në ENQA (Rrjeti Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë). Ajo ka thënë se Shqipëria nuk disponon një agjenci të tillë, të anëtarësuar në ENQA.

“Agjencia ka informata se afër 40 për qind e kandidatëve të regjistruar në doktoratë, në UET, janë nga Kosova. MASHT duhet të ketë kujdes të ruajë vlerat e cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë dhe së bashku me AKA-në të mbrojnë tregun kosovar nga ofertat e dyshimta”.

Diplomohen pa e kaluar provimin shtetëror

Zhushi-Etemi ka bërë të ditur se ka informata se edhe disa institucione tjera private në Shqipëri tentojnë të futen në Kosovë nëpërmjet presioneve të ndryshme në MASHT, siç është Universiteti “Kristali” dhe se agjencia, po ashtu thotë se ka informata se aty mund të diplomojnë kandidatë, e që si kriter nuk kanë kaluar provimin shtetëror në Shqipëri.

 “Është interes i shteteve, është interes kombëtar që të ofrohen diploma cilësore në arsimin e lartë, të cilat do të mundësonin integrim të lehtë të të diplomuarve në hapësirën evropiane të arsimit të lartë, pra vetëm cilësia është rruga për t’u integruar në Evropë”, ka nënvizuar ajo.

Sipas saj, AKA paraqet një shembull të mirë të implementimit të standardeve të larta të cilësisë në procesin e akreditimit. “Prandaj me të drejtë synojmë të ruajmë këto kritere, edhe pse kjo është rrugë më e vështirë. Por, si shoqëri e re në zhvillim ne kemi nevojë për kandidatë të diplomuar të pajisur me dituri dhe shkathtësi që do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës, e jo për letra. Në Ligjin për Arsimin e Lartë shkruan se diplomat nga jashtë duhet të jenë të akredituara nga një agjenci e anëtarësuar në ENQA”.

Zhushi-Etemi thotë se në Kosovë nuk është lejuar asnjë institucion privat të organizojë doktorata dhe as në UP shumica po ashtu nuk janë lejuar, dhe gjithë kjo sipas saj vetëm të ruhen kriteret. “AKA për diplomat jashtë Kosovës ka kriter që ata të kenë programe të hulumtimeve dhe kapacitete të ofrohen të doktoratave kush i plotëson kriteret hyn në tregun e arsimit në Kosovë”, ka theksuar ajo për gazetën.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/