Kandidatët duhet të nxitojnë të dorëzojnë dokumentet brenda datës 15 korrik 2013, sa pa u larguar shumica kujdestare
DURRËS, 2 korrik 2013 – Qeveria e PD-së ka hapur 103 vende të reja në universitetin e Durrësit për punësimin e intelektualëve.
Universiteti publik “Aleksandër Moisiu” Durrës, për të cilin ushqen respekt të veçantë Kryeministri në largim Prof. Dr. Sali Berisha, për shkak të impenjimit serioz të stafit të përzgjedhur akademik në mbështetje të së djathtës, ka shpallur hapjen e konkursit për 103 vende të lira, teksa kandidatët duhet të nxitojnë që dokumentet t’i paraqesin deri më 15 korrik 2013.
Kandidatët duhet të kenë gradën shkencore “doktor” ose titullin “docent” dhe minimalisht “master shkencor” për lektor; mesataren e notave në të gjitha ciklet e studimeve minimalisht 8; njohuri shumë të mira të gjuhës angleze, por jo të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, pasi atë nuk e njohin as drejtuesit dhe as sekretaria!
Për shembull, në fakultetin e biznesit ka 15 vende të reja pune; kështu, në departamentin e financë-kontabilitetit ka 5 vende të lira: 3 për docentë dhe 2 për lektorë; në departamentin e menaxhimit 4 vende: 2 për docentë e 2 për lektorë; në departamentin e marketingut: 1 vend për docent; në departamentin e shkencave ekonomike 4 vende: 2 për docentë dhe dy për lektorë; në departamentin e turizmit: 1 vend për docent.
Në fakultetin e teknologjisë së informacionit ka 18 vende të reja pune; departamenti i teknologjisë së informacionit 5 vende: 2 për docentë dhe 3 për lektorë; departamenti i shkencave kompjuterike: 2 për docentë dhe 3 për lektorë; departamenti i sistemeve të informacionit 5 vende: 2 për docentë dhe 3 për lektorë; departamenti i matematikës 3 vende: 1 për docent dhe 2 për lektorë.
Në fakultetin e edukimit ka 16 vende të reja pune por me titull docent dhe profesor; departamenti i pedagogjisë 4 vende; departamenti i gjuhës 4 vende; departamenti i gjuhëve të huaja 5 vende; departamenti i letërsisë 1 vend; departamenti i sociologjisë 1 vend; departamenti i psikologjisë 1 vend.
Në fakultetin e studimeve profesionale në departamentin e mjekësisë 5 vende: 2 për docentë dhe 3 për lektorë.
Në fakultetin e shkencave politike-juridike ka 22 vende të reja; departamenti i drejtësisë 7 vende: 5 për docentë dhe 2 për lektorë; departamenti i shkencave politike 7 vende: për 3 docentë dhe 4 lektorë; departamenti i administrimit publik 8 vende” 4 për docentë dhe 4 për lektorë.
Ndërkohë për filialin e Peshkopisë ka 27 vende, të gjitha për lektorë; durrsakët pa tituj mund të shkojnë në Dibër, nëse nuk nxitojnë vendasit, bashkëqytetarë të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj; gjithsesi për të interesuarit informojmë se ka 4 vende për ekonomi; nga 3 vende për gjuhë shqipe dhe matematikë; nga dy vende për letërsi, anglisht, psikologji, sociologji, biologji, informatikë; nga 1 vend për kimi, agronomi, veterinari.
Info/
Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës është një institucion publik i arsimit të lartë i krijuar me Vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Nr. 801, datë 20.12.2005 “Për hapjen e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës”; për herë të parë universiteti hapi dyert për studentët në vitin akademik 2006-2007 ku në bankat e tij filluan studimet universitare rreth një mijë studentë nga i gjithë vendi; sot në përbërje të tij janë 6 fakultete si fakulteti i biznesit, fakulteti i edukimit, i teknologjisë së informacionit, fakulteti i shkencave politike-juridike, fakulteti i studimeve profesionale, fakulteti i studimeve të integruara me praktikën (FASTIP), si dhe filiali në qytetin e Peshkopisë.
Kryeministri Berisha ka ardhur disa herë në këtë universitet; herën e fundit, më 5 qershor 2013, i shoqëruar nga bashkëshortja; ministri i Arsimit dhe Shkencës dhe kandidatët për deputetë të PD-së për qarkun e Durrësit mori pjesë në përurimin e kampusit të ri.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





