Miliarderi amerikan George Soros përfshihet në një debat në distancë me kreun e Lega Nord, Mateo Salvini, i cili vetëm dy ditë më parë u bë pjesë e qeverisë së re italiane.

Soros hodhi dyshime se qeveria e re e Romës financohet nga Moska. Nga Trento ku merr pjesë në një forum ekonomik, filantropi 88-vjeçar nuk e akuzoi drejtpërdrejtë qeverinë e re italiane për financime nga Rusia. Por sipas tij, dyshimet lindin për programin anti-europian që qeveria e drejtuar nga Konte ka vendosur të ndjekë, si dhe për dyshimet që janë hedhur më herët edhe ndaj partive populiste europiane që marrin financime nga Rusia të krijuar përçarje në shoqërinë europiane.

Por ministri i Brendshëm italian Mateo Salvini e quajti të paskrupullt Sorosin dhe akuzat e tij të turpshme. Megjithatë ai nuk fshehu simpatinë për Presidentin rus Putin. Soros shquhet për sulmet kundër liderëve populistë të Perëndimit. Sulmet ndaj qeverisë populiste hungareze të Victor Orbanit e detyruan Sorosin të zhvendoste prej andej qendrën e rrjetit të tij të organizatave.