TIRANE, 27 mars 2013 – Në mbledhjen e sotme qeveria ka vendosur të ekzekutojë vendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila e cilësoi ekstradimin e Almir Rrapos drejt SHBA-ve si të paligjshëm. 

Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se akordohet shuma prej 1 500 euro që kishte caktuar Gjykata Europiane në formën e dëmit moral, që i ishte shkaktuar Rrapos. 

Almir Rrapo, ish-punonjësi i Ministrisë së Jashtme akuzohej për krime të rënda në kuadër të një bande kriminale të drejtuar nga vëllezërit Krasniqi. 

Sipas avokatit të tij, Rrapo rrezikonte dënimin me vdekje, prandaj duhej të rrëzohej kërkesa për ekstradim nga gjykata shqiptare. 

Ndërkohë që procesi vazhdonte Gjykata Europiane firmosi një urdhër për ndalimin e ekstradimit. Por pavarësisht kësaj, autoritetet shqiptare e dorëzuan Almir Rrapon në duart e policisë amerikane.