TIRANË, 20 shkurt 2013– Këshilli i Ministrave miraton një fond shtesë në buxhetin e vitit 2013 për ministrinë e Ekonomisë me qëllim përzgjedhjen e një shoqërie audituese ndërkombëtare, për të kryer procedurat e auditimit të shoqërisë CEZ Shpërndarje dhe për përzgjedhjen e një shoqërie vlerësuese ndërkombëtare, e cila do bëjë vlerësimin teknik të rrjetit të shpërndarjes.
Vendimi është marrë sot në mbledhjen që këshilli i ministrave mbajti gjatë paradites, ndërsa fondi në fjalë kap vlerën e 550 000 mijë eurove, nga i cili shuma prej 350 000 eurosh do të jetë për përzgjedhjen e një shoqërie audituese ndërkombëtare për të kryer procedurat e auditimit të shoqërisë “CEZ Shpërndarje”, sh.a., dhe shuma prej 200 000 (dyqind mijë) eurosh, për përzgjedhjen e një shoqërie vlerësuese ndërkombëtare për vlerësimin teknik të rrjetit të shpërndarjes.
Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.