Zëdhënësi i Qeverisë së Francës, Benjamin Griveaux, pas sulmit të armatosur në Strasburg, nga “jelekët e verdhë” kërkoi që të mos organizojnë një protestë të re ditën e shtunë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për televizionin CNEWS, Griveaux tha se qeveria nuk ka ndaluar protestat e “jelekëve të verdhë” dhe se do të ishte shumë vështirë të parandalojë daljen e njerëzve nëpër rrugë.
Duke iu bërë thirrje “jelekëve të verdhë” që pas sulmit në Strasburg, të mos organizojnë protestë ditën e shtunë, Griveaux tha se anulimi i protestës do të ishte “racionale” meqë policia ka qenë shumë e angazhuar gjatë javëve të fundit.
Edhe ministri i Mjedisit, François de Rugy, në një deklaratë për televizionin “Public Senat” tha se protestat e “jelekëve të verdhë” tanimë duhet të përfundojnë plotësisht.
Edhe kryetari i Kuvendit Kombëtar, Richard Ferrand, në një deklaratë për radion “France Inter” tha se presidenti Emmanuel Macron iu është përgjigjur kërkesave të “jelekëve të verdhë” dhe se për këtë arsye duhet t’iu jepet fund protestave.
“Jelekët e verdhë” kishin njoftuar se ditën e shtunë do të organizojnë protesta në gjithë shtetin, duke filluar nga Parisi.





