Qeveria gjermane ka deklaruar se kryeopozitari rus Alexei Navalny është helmuar dhe se testet e kryera në mostrat e marra kanë treguar për praninë e një agjentit nervor të epokës Sovjetike (Novichok).
Novichok, gjithashtu është përdorur për të helmuar ish-spiunin rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij në Britani.
Zëdhënësi i kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert, tha se testimi nga një laborator i posaçëm ushtarak gjerman kishte treguar prova të “një agjenti nervor kimik nga grupi Novichok”.
Seibert tha gjithashtu se qeveria gjermane do të informojë partnerët e saj në Bashkimin Europian dhe NATO rreth rezultateve të provave. Ai u shpreh se do të konsultohet me partnerët “për një përgjigje të përshtatshme të përbashkët ndaj Rusisë”.
Më herët partnerët perëndimorë të Rusisë, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, kishin bërë thirrje për një hetim transparent mbi helmimin e Navalny kurse Kremlini kishte sugjeruar në vend të kësaj të mos dilet në përfundime të nxituara për atë që ka ndodhur me kryeopozitarin derisa të ketë prova të sakta për helmimin e disidentit.
Navalny, i cili është një nga kritikët më të ashpër të Vladimir Putin, u sëmur më 20 gusht gjatë një fluturimi nga qyteti Tomsk për në Moskë.