Zëdhënësi i qeverisë greke, Dhimitris Tzanakopoulos ka deklaruar se kryeministri Alexis Tsipras ka urdhëruar që të hetohen plotësisht shkaqet e zjarreve vdekjeprurëse që kanë shkaktuar vdekjen e dhjetëra njerëzve në periferinë e Athinës.
“Kryeministri urdhëroi që dosja e çështjes t’u dërgohet autoriteteve gjyqësore, si dhe të mbanim këtë konferencë shtypi në mënyrë që t’i paraqesim popullit grek të gjitha dëshmitë që ka qeveria në dispozicion”, u shpreh Dhimitris Tzanakopoulos, zëdhënësi i qeverisë në një intervistë për mediat.
Ndërsa nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Nikos Toskas, duke shpjeguar me video dhe të dhëna nga disa shërbime satelitore të vendit dhe amerikane, ka theksuar se ekzistojnë prova serioze për zjarrvënie të organizuar.
“Sa i përket hetimeve që po bëhen nga grupi hetimor i Departamentit të Zjarrfikësve në bashkëpunim me Policinë Greke, do doja të tregoja me anën e disa imazheve të paraqitura se kemi të dhëna serioze dhe gjurmë të rëndësishme për veprimtari kriminale që kanë të bëjnë me zjarrvënie”, u shpreh Nikos Toskas Minister i Mbrojtjes së qytetarit.
Është theksuar se zjarrvënia e qëllimshme dhe e planifikuar hollësisht, si dhe kushtet ekstreme të motit kanë qenë shkaku kryesor i tragjedisë.