7 gusht 2013 – Qeveria në detyrë gjatë mbledhjes së sotme ka lejuar importin e ‘plehrave’ në Shqipëri, nga vendet si Greqia dhe Italia. Siç thuhet në vendim, nga Greqia do të importohen mbetje të polietilenit për qëllim riciklimi, ndërsa nga Italia, mbetje gize, çeliku, alumini, zinku, plumbi, qelqi, plastike, etj.Në vendimin e sotëm të këshillit të ministrave thuhet se Shqipëria do të lejojë importin e 600 tonë mbetjeve në vit nga Greqia dhe rreth 2000 tonë mbetje nga Italia.  Shoqëria “Plastika – Albania”, sh.p.k., dhe “V.A.L.E. Recycling’ janë autorizuar nga qeveria shqiptare për importin e mbetjeve për qëllime riciklimi.Vendimet vijnë në një kohë kur Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) nismoi një referendum kombëtar, që pritet të mbahet në 23 dhjetor 2013 – i pranuar edhe nga Gjykata Kushtetuese pas mbledhjes së 64 mijë firmave nga qytetarët – për t’i thënë “jo” ligjit të importit të plehrave. Ndërkaq edhe Kryeministri në pritje për të marrë detyrën, Edi Rama ka premtuar gjatë fushatës së tij elektorale se në 100 ditët e para do ta anulojë ligjin për importin e mbetjeve.