Qeveria i jep 190 milionë lekë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për organizimin e zgjedhjeve të 6 marsit, që do të mbahen në 6 bashki të vendit.
Bëhet me dije se këto para do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022.
Njoftimi i plotë:
V E N D I M
PËR
Një shtesë fondi në Buxhetin e vitit 2022, miratuar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për mbulimin e shpenzimeve të organizimit të zgjedhjeve të pjesshme për organet e vetëqeverisjes vendore, të datës 6 mars 2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 87, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, i shtohet fondi prej 190 000 000 (njëqind e nëntëdhjetë milionë) lekësh, për mbulimin e shpenzimeve të organizimit të zgjedhjeve të pjesshme për organet e vetëqeverisjes vendore, të datës 6 mars 2022.
- Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022.
- Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA