Një vendim i qeverisë së Shqipërisë i botuar në Fletoren Zyrtare, bën me dije se Këshilli i Ministrave ka marrë përsipër mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve të mjekimit të profesor Moikom Zeqos.
Me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave ka vendosur mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve të mjekimit të Moikom Zeqos, në masën 2 500 000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë. Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Pagesa do të bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të mjekimit. Vendimi ngarkon Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi. Vendimi hyn në fuqi menjëherë.
Historiani, studiuesi e ish-drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, është i sëmurë prej pothuaj tri vitesh. Ai është Doktor i Shkencave dhe mban urdhrin e lartë “Mjeshtër i Madh” si edhe autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të një numri skenarësh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht.
Është autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetëra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj.