Familja e Klodian Rashës, 25-vjeçarit që u vra nga efektivi i policisë më 8 dhjetor, ka pritur mëngjesin e sotëm kryeministrin Edi Rama.

Tema e diskutimeve dhe arsyeja e kësaj vizite ka qenë lidhja e një pensioni për familjen Rasha nga shteti.

Ditën e djeshme pensioni u refuzua nga babai i Klodian Rashës, Qazim Rasha, i cili reagoi ashpër edhe ndaj faktit që në VKM vrasja ishte cilësuar si aksidentale. Ndërkohë që ditën e sotme mësohet se pas takimit me Ramën, kanë pranuar pensionin mujor. Është rënë dakord për të pranuar pensionin, por që nuk do të përdoret nga familjarët, por ata do ta përdorin për bamirësi. 

Gjatë takimit për rreth 1 orë me kryeministrin Rama, është kërkuar nga familjarët të mos cilësohet si “vrasje aksidentale”, por si “vrasje me dashje”. 

Klodian Rasha u qëllua për vdekje mëngjesin e 8 dhjetorit nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj, pranë banesës së tij, në afërsi të rrugës “Dritan Hoxha”.