19 tetor 2013- Kryeministri Rama, deklaroi sot në konferencën “Stop Trafikimit! Së Bashku Mund të Bëjmë më Shumë!”, se shteti shqiptar ka qenë i paaftë për të integruar viktimat e trafikimit në shoqëri. Kryeministri theksoi se në sfidën ndaj trafikimit kërkohet një angazhim dhe aksion i menjëhershëm. 

“DASH e ka renditur Shqipërinë në listën e vendeve nën vëzhgim për mungesën e plotësimeve të standarteve. Edhe raporti i Komisionit Europian, konstaton probleme. Nëse sot në ditën europiane kundër trafikimit të personave jemi mbledhur këtu për ti dhënë një shtysë të re dhe për të folur për në qasje ndryshe për luftën kundër trafikimit. Shqipëria paraqet sot një tablo të dhimbshme, revoltuese, ku dallohet sofistikimi i veprimtarisë kriminale dhe burimi i trafikimit dhe nga ana tjetër, një shtet krejt të paaftë për të përballur këtë fenomen”. “Si në të gjitha fushat, shpërdorimi i fondeve të dhëna nga ndërkombëtarët dhe presioni politik konstant deri në asfiksim, tregon se sot është gjëndja shumë e dobët për të qenë aktive në parandalimin e trafikut. E kanë bërë më të dobët shtetin në parandalimin e  këtij trafiku dhe sensibilizimin sa i takon këtij problem dhe vetë personat vulnerabël që janë viktima të këtij trafiku. Duke qenë thellësisht të vetëdijshëm, që kjo sfidë sado komplekse dhe e vështirë është në të njëjtën kohë një emergjencë shoqërore dhe që lidhet me domosdoshmërinë për të mos lejuar që Shqipëria të hyjë në kutinë e zezë të vendeve që konsiderohen sot si të pashpresa”, deklaroi  Rama.

Rama u shpreh se fuqizimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, do të sjellë hallkën e munguar të koordinimit mes organeve të rendit dhe drejtësisë, në parandalimin e këtij trafiku.

“Me fuqizimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, do të kemi një standart tjetër të nivelit të lartë për të garantuar evidentimin dhe hetimin e veprave penale, në zbatim të strategjisë së re dhe planit të veprimit kundër krimit të organizuar, duke forcuar gjithë zinxhirin institucional dhe duke pasur një hallkë të munguar për të koordinuar organet e rendit me ato të drejtësisë".

Ndërkaq, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, tha se është i domosdoshëm bashkërendimi i punës mes mistrisë, agjencive përgjegjëse, shoqërisë civile, për të luftuar trafikun e qënieve njerëzore.

“Ministria e Brendshme e qeveria, e konsiderojnë dhe e njohin si problem alarmant, kjo është pikënisja. Sot i shpallim luftë trafikimit të qenieve njerëzore dhe asetit kriminal që sot e gëzojnë skllavopronarët. Luftën kundër trafikut e shpallim si sipërmarrje të përbashkët të qeverisë, e çdo dikasteri që ka rol në këtë luftë, së bashku me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë”, tha ai.

Dy ambasadorët, ai i BE-së Ettore Sequi dhe i OSBE-së në Shqipëri, Florian Raunig si dhe Zv. Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Henry V. Jardin, shprehën mbështetjen për qeverinë shqiptare në luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore. 

“Trafikimi i njerëzve mbetet një problem dhe duhet të bëhet progres në luftën kundër tij. Në sfidën e luftës së trafikimit të njerëzve, Shqipëria nuk është vetëm pasi ne jemi këtu për ta ndihmuar. BE-ja do ta ndihmojë qeverinë shqiptare përmes ekspertëve të saj në nismat e saj kundër këtij fenomeni. Lufta kundër krimit të organizuar nuk mund të realizohet e vetme, kjo çështje kërkon përkushtimin e madh të të gjithëve ne”, tha Sequi.

Ambasadori i OSBE, kërkoi përmirësim të kuadrit ligjor, në mënyrë që trafikantët të marrin dëmimet më të rënda.

“Duhet të krijojmë një shoqëri që nuk toleron që gratë dhe fëmijët të jenë në rrezik të veçantë trafikimi. Një shoqëri që nuk pranon që burrat, të mashtruar me premtimin e një jete më të mirë, të detyrohen të punojnë në kushte të egra dhe të shfrytëzohen. Sfida e madhe që vjen tani është fuqizimi i hetimit dhe dënimit të shkelësve të ligjit, për t’u siguruar që dënimet e ashpra të parashikuara në Kodin Penal të zbatohen dhe trafikuesit të ndiqen penalisht. Prezenca është e angazhuar të vazhdojë të mbështesë Koordinatoren Kombëtare Kundër Trafikimit të Personave dhe aktorët e tjerë, për të ndihmuar në çrrënjosjen e trafikimit të qenieve njerëzore në këtë vend”, deklaroi ambasadori i OSBE.