Qeveria italine ka dhënë 5 milionë euro për zhvillimin e arsimit profesional në vendin tonë. Lajmi u bë i ditur nga Ministri, Blendi Klosi, i cili firmosi memorandumin e bashkëpunimit me Amabasadorin italian në vendin tonë. Projekti do të nisë në Fier e Lushnjë.
Qeveria italiane do të jetë një nga partnerët kryesorë të Shqipërisë në zhvillimin e arsimit profesional për vitin 2016.
Kjo falë memorandumit të mirëkuptimit të firmosur midis dy shteteve në fushën e arsimit profesional në Fier e Lushnje, përmes së cilit do të investohen rreth 5 milion në ata sektorë prodhues ku Shqipëria ka një potencial të madh siç është bujqësia dhe agrobiznesi.
Klosi: "Ky zhvillim intensiv i bujqësisë kërkon aftësi të fermerëve dhe të punonjësve të bujqësisë që mund të arrihet vetëm nëpërmjet edukimit dhe formimit profesional. Nëpërmjet këtij investimi në shkollën e Fierit dhe të Lushnjes ne do të realizojmë një sistem dhe projekt shumë strategjik për zhvillimin e të gjithë arsimit profesional".
Ambasadori i Italisë në vendin tonë, Alberto Curtillo, theksoi se përmes këtij fondi do të investohet në dy drejtime që kanë të bëjnë me strategjinë e punësimit.
Curtillo: “Është zgjedhur qarku i Fierit duke menduar që realizimi i kësaj Qendre Ekselence të Arsimit Profesional do të sjellë një shtysë të re në përgatitjen e studentëve dhe futjen e tyre në tregun e punës. Jam i bindur që sistemi italian i arsimit dhe formimit profesional mund të jetë një pikë referimi efikase, sepse sistemi ynë i arsimit dhe formimit profesional është shumë i përgatitur, shumë i kualifikuar, sidomos në disa sektorë dhe bëhet fjalë pikërisht në sektorin bujqësor dhe të ushqimit. Është një sistem që ka të bëjë me të drejtat e njeriut dhe të drejtat për punësim dhe forcimin e aftësive të nxënësve”.
Memorandumi parashikon që 5 mln eurot do të shkojnë për krijimin e një qendre multifunksionale të ekselencës në sektorin bujqësor dhe agropërpunues në Fier, e aftë për të formuar teknikë të mesëm dhe të lartë në rang kombëtar, në përputhje me kërkesat e tregut të punës, si dhe kualifikimin e shkollës mekanike bujqësore në Lushnje.





