Ja ku vjen për herë të parë një ‘bonus kulturor’ prej 500 eurosh për rreth 574 mijë të rinj italianë, që do të mbushin 18 vjeç këtë vit.

Qytetarët italianë do të marrin 500 € për ditëlindjen e tyre të 18-të. Nisma merr jetë më 15 shtator dhe “bonusi për kulturën” mund të shpenzohet në libra, bileta koncertesh, bileta teatri, bileta kinemaje, vizita në muze dhe udhëtime në parqe kombëtare.

Pritet që 574,000 mijë të rinj të përfitojnë nga kjo skemë edhe pse ajo do t’i kushtojë qeverisë italiane 290 milionë euro, shkruajnë mediet italiane. Nënsekretari i parlamentit Tommaso Nannicini beson se këto janë para të shpenzuara mirë.

“Nisma dërgon një mesazh të qartë për të rinjtë, duke u kujtuar atyre se ata i përkasin një komuniteti, i cili i mirëpret pasi ata arrijnë këtë moshë. Kjo u kujton atyre gjithashtu se sa i rëndësishëm është interesi për kulturën, edhe për pasurimin e vetes dhe për të forcuar strukturën e shoqërisë sonë ”, tha ai për “Corriere.it”.