Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim duke i dhënë ndihmë ekonomike Kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, për të përballuar shpenzimet për kurim.

Sipas vendimit të Qeverisë më 22 qershor, është akorduar fondi prej 48 milionë lekësh të vjetër që do të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Deputeti Braho po kurohet jashtë vendit prej disa muajsh dhe është tërhequr nga jeta politike

VENDIMI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr. 147/2015 “Për buxhetin e vitit 2016” dhe në vijim të shkronjës “c”, të pikës 9, të vendimit nr. 33, datë 20.1.2016 të Këshillit të Ministrave “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2016”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave vendosi:

1.Mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve të mjekimit të z. Spartak Braho, në masën 4 800 000 katër milionë e tetëqind mijë) lekë.
2. Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
3. Pagesa bëhet me paraqitjen e faturave origjinale përkatëse të institucionit të mjekimit.
4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.