TIRANË – Qeveria miratoi sot kalimin në pronësi të poseduesve të objekteve informale 1247 parcela ndërtimore, si dhe shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale.
Vendimet u morën në mbledhjen e sotme të qeverisë dhe përfshijnë legalizimin e objekteve informale të ngritura në troje, si dhe shtesa (anësore) informale në ndërtime me leje si dhe shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale.
“Ky vendim përcakton shpërblimin e pronarëve të ligjshëm, trojet e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale, të kualifikuara për legalizim në qarqet Shkodër, Durrës, Vlorë, Elbasan, Berat dhe Tiranë, me sipërfaqe prej 8687 m2 truall, me vlerë të përgjithshme 103 796 372 lekë. Vlera e shpërblimit të pronarëve të ligjshëm është përcaktuar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”- thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Qeveria miratoi edhe disa ndryshime në një numër vendimesh të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kalimit të pronësisë të disa parcelave ndërtimore në favor të poseduesve të objekteve informale”.
Ky vendim saktëson të dhënat e përfituesve të së drejtës të kalimit të pronësisë për parcelën ndërtimore.
“U miratuan disa ndryshime në disa vendime nr.204, datë 19.2.2009; nr.616, datë 11.6.2009; nr.389, datë 19.5.2010 dhe nr.900, datë 6.12.2011, “Për shpërblimin e pronave mbi sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”. Ky vendim saktëson të dhënat e pronarëve, të cilëve iu është miratuar shpërblimi mbi sipërfaqet takuese pronë private që preken nga ndërtimet informale”- thuhet në vendimin e qeverisë.





