ITALI, 27 prill 2013 – Formohet qeveria italiane e kryeministrit Enrico Letta. Postin e zv/kryeministrit dhe atë të ministrit të brendshëm do ta mbajë sekretari i Pdl Angelino Alfano, ndërkohë që ministër i ekonomisë do të jetë drejtori i përgjithshëm i Bankitalia, Fabrizio Saccomanni.

Liderja radikale Emma Bonino do të mbajë portofolin e Ministrisë së Jashtme.

Qeveria Letta do të hyjë në historinë italiane si ekzekutivi me prezencë rekord të femrave në kabinetin qeveritar.

Nga 21 ministra në total, 7 janë femra. Ndërkohë qeveria e sapo krijuar vendos edhe një rekord tjetër, atë të pranisë së të parit ministër me ngjyrë në historinë e saj.

Cecile Kyenge, deputate e Partisë Demokratike do të jetë ministre e Integrimit.

Qeveria Letta formohet rreth 2 muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, që nuk nxorrën një fitues me diferencë votash duke rrezikuar ta çonin vendin sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Letta u ngarkua me detyrën për të formuar kabinetin qeveritar mbi bazën e një koalicioni të gjerë. disa ditë më parë nga presidenti Giorgio Napolitano, pas rizgjedhjes për herë të dytë të këtij të fundit në postin e kreut të shtetit.

Qeveria do të betohet ditën e dielë në presidencë, në orën 11.30.

/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/