TIRANË, 10 maj 2013– Dhe pse është periudhë fushate zgjedhore dhe vëmendja e ndërkombëtarëve është përqendruar në Shqipëri, pas Top-Channel-it, radha për t’u ndëshkuar i ka ardhur edhe stacionit më të vjetër privat në Shqipëri, Shijak TV.
Bëhet e ditur se Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) i ka ndërprerë transmetimin televizionit veteran, pionier i medieve audiovizive në Shqipëri, “Shijak TV”.
Pronari i këtij televizioni, Gëzim Ismaili, thotë se brenda 17 ditësh u gjobit me një shumë prej 1,2 milion dollarësh nga AMA dhe tani një përmbarues privat kërkon t’i sekuestrojë pajisjet e transmetimit, një gjobë, që, sipas tij, është e kundërligjshme, kur e gjithë xhiroja vjetore e televizionit është 100 mijë euro, dhe i gjithë televizioni nuk ka vlerën e gjobës.
Por, sipas zotit Gëzim Ismaili, gjithçka ka filluar pasi ai fitoi procesin gjyqësor në Gjykatën e Lartë, për heqjen e licencës pa të drejtë gjatë periudhës 2004 deri në 2008-ën.
“AMA nxori një urdhër të sajin për sekuestro të pajisjeve. U mor leja në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe ia dha përmbaruesit privat, i cili na njoftoi që ta prisnim në ambientet e televizionit. Ndërkohë përmbaruesit privatë shkuan në Dajt dhe prishën sinjalin”, thotë Ismaili.
Pronari thotë se kjo është dhunë e hapur për të ndërprerë transmetimet e Shijak TV që kanë në fokusin e tyre mendimin e qytetarëve.
“Kjo është dhunë e hapur dhe e paraparë në të gjitha ligjet e mediev.; është shkelje flagrante e nenit 22 të Kushtetutës", deklaron Ismaili.
Ismaili akuzon rëndë kreun e AMA-s, se po kërkon qe t’i japë një grupi biznesmenësh frekuencën e televizionit të tij.
Mosmirënjohja
Qysh në krijim, në dhjetor 1995, Shijak TV, me mbështetjen e madhe të të ndjerit Azem Hajdari, deputet i Shijakut, u vu plotësisht në shërbim të PD-së dhe Sali Berishës.
Kjo ishte arsyeja që në vitin 1997, kur në pushtet erdhi e majta, iu dëmtuan antenat në vilën e Zogut.
Kur këtij stacioni pati përpjekje për t’ia mbyllur gojën, pasi gjatë 8 vjetve në opozitë, Partia Demokratike dhe lideri i saj Sali Berisha pati një tribunë të fuqishme si Shijak TV kundër qeverive të Nanos, Majkos, Metës.
Në zgjedhjet e 24 qershorit 2001 “Një nga stacionet televizive private, Shijak TV, mbështeti hapur “Bashkimin për Fitore” [Partinë Demokratike] me 74 për qind të kohës së caktuar politikës dhe zgjedhjeve, 90 për qind e të cilave ishte pozitive, dhe 9 për qind për Partinë Socialiste, kryesisht negative”, thuhet në raportin e 25 qershorit 2001 të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve.
Ndërkaq televizioni “Klan” filloi një luftë të ashpër, me ndihmën e Nanos, për të hequr nga tregu Shijak TV-në.
Me ardhjen në pushtet të së djathtës, Klan TV u shndërrua në përkrahëse të PD-së.
Shijak TVmori një qëndrim më asnjanës ndaj politikës, gjë që nuk i pëlqeu selisë blu.
Kush është kush?
Më 25 dhjetor 1995 nis transmetimet e para televizioni Shijak TV, datë kjo që shënon lindjen e televizionit të parë privat në Shqipëri.
Ky televizion ndante ambientet e një godine të përbashkët me Pallatin e Kulturës dhe Xhaminë.
Sikurse tregon vetë pronari i këtij televizioni, Gëzim Ismaili, i diplomuar në mjekësi, por me profesion biznesmen, ideja për hapjen e një TV-je lindi nga një bisedë e rastësishme miqsh, mes tij dhe inxhinier Muhamer Çipit, të dy këta bashkëpronarë të një dyqani riparim televizorësh në Shijak.
Në qershor të vitit 1995, Ismaili bleu në Maqedoni një transmetues, për të ritransmetuar kanale të televizioneve të huaja, por modeli që Shijak TV ndoqi, sipas tij, ishte ai italian.
Programi i parë që u transmetua në televizionin e parë privat në Shqipëri, Shijak TV, në formatin e transmetimit VHS, ishin filmimet me një kamera amatore në disa shkolla 8-vjeçare, ku fëmijët festonin Vitin e Ri dhe Krishtlindjet.
Që nga ky moment e deri në nëntor të vitit 1998, një muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit për radion dhe televizionin, Shijak TV zhvendos studion qendrore në Tiranë dhe kalon nga sistemi VHS në Super VHS dhe Beta.
Pas transferimit, televizioni numëronte edhe studiot në Shijak, Durrës, Kavajë dhe Lezhë, me një personel prej 19 punonjësish me kohë të plotë, nga të cilët 7 prej tyre gazetarë.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





