Këshilli i Ministrave në një mbledhje të posaçme ditën e djeshme ka miratuar Aktin Normativ për disa ndryshime në Buxhetin e Shtetit për vitin 2024.

Ministria e Financave njofton se do të vihet në jetë premtimi për garantimin e bonusit të pranverës duke krijuar një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë në mbështetje të pensionistëve me një fond prej 6.3 miliardë Lekësh.

Në pranverë do të përfitojnë bonus në masën 10 mijë Lekë (ose 100 Euro) të gjithë ata pensionistë, pensioni mujor i të cilëve është nën 20 mijë Lekë dhe 5 mijë Lekë (ose 50 Euro) të gjithë ata pensionistë, vlera e pensionit mujor të të cilëve është mbi 20 mijë Lekë.

Më tej, theksohet se do të shpërndahen 2.2 miliardë Lekë në formën e shpërblimeve të menjëhershme për disa nga kategoritë sociale më vulnerabël. Konkretisht do të jenë përfitues të bonusit prej 15,000 Lekësh të gjitha familjet që trajtohen me Ndihmë Ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuar (PAK), si dhe kujdestarët e tyre.

Me një fond shtesë në masën 1.4 miliardë Lekë do të mbështeten fermerët, duke siguruar investim të vazhdueshëm për një nga sektorët më prioritarë të ekonomisë, bujqësinë.

Gjithashtu do të alokohet një fond shtesë prej rreth 1.6 miliardë Lekë për për të mbështetur bashkitë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, si dhe për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve.