Tiranë, 10 prill 2014 – Këshilli i Ministrave ka miratuar dje përcaktimet e reja për kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojnë eksportuesit për rimbursimin e TVSH-së. Me propozim të Ministrisë së Financave, Këshilli i Ministrave miratoi VKM-në për kategoritë e eksportuesve, të cilët rimbursimin e TVSH-së ose e marrin automatikisht me paraqitjen e kërkesës, ose e marrin brenda 30 ditëve. Ky afat është sa gjysma e kohës që u jepet tatimpaguesve të tjerë, për të cilët koha e rimbursimit është 60 ditë.

Drafti propozon që të konsiderohet eksportues, çdo tatimpagues i cili plotëson tri kushte: eksporton sipas Kodit Doganor të RSH; vlera e eksporteve të bëra në periudhën tatimore për të cilën kërkohet rimbursim, përbën më shumë se 60% të vlerës totale të shitjeve përfshirë eksportet dhe ka tepricë kreditore që tejkalon shumën 400.000 lekë.

Plotësimi i këtyre tri kushteve për një tatimpagues-eksportues e qartëson dhe e dallon atë nga kategoria tjetër e tatimpaguesve, të cilëve kontrolli dhe verifikimi i tepricës kreditore iu bëhet brenda 60 ditëve”, thekson Ministria e Financave.

Vendimi përcakton edhe kushtet që duhet të plotësojë një subjekt për t’u përfshirë në këtë kategori. Së pari, vlera e eksporteve të bëra në periudhën tatimore për të cilën kërkohet rimbursim, përbën 100% të vlerës totale të shitjeve. Së dyti, të ketë aktivitet eksportues mbi dy vjet. Gjithashtu, në rastet kur subjekti paraqet si dokument prove të kryerjes së eksportit Deklaratën Doganore të Eksportit, lëshuar sipas legjislacionit doganor në RSH, ndërkohë që nuk duhet të ketë detyrime të papaguara të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Projektvendimi përcakton se eksportuesit që nuk klasifikohen si “eksportues me risk zero” rimbursohen për TVSH-në brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/