Qeveria ka miratuar paketën anti-shpifje, e cila sipas qeverisë synon rregullimin e tregut të mediave onlike në vend.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni, e cila bëri me dije vendimin, sqaroi edhe arsyet që e çuan qeverinë të ndërmerrte një hap të tillë.
“Kjo iniciativë erdhi si pasojë e një fenomeni shqetësues jo vetëm për Shqipërinë por edhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian, ku media shpesh herë përdoret si instrument duke pasur për referencë jo faktet konkrete por lajmet e rreme. Mungesa e transparencës të një sërë platformash online, mungesa e regjistrimit të tyre si në çdo shtet evropian, kanë qenë arsyet e rishikimit të kuadrit ligjor ekzistues me qëllim parandalimin dhe zvogëlimin e efekteve negative që përcjell në shoqëri keqinformimi dhe përhapja e lajmeve të rreme”, sqaroi ajo.
Ministrja Gjonaj thotë se regjistrimi i portaleve i shërben transparencës mbi pronarët e mediave, shmangies së konfliktit të interesave, ndikimit të papërshtatshëm të aktorëve politik, garantimin e pavarësisë së gazetarëve si dhe pluralizmit të medias.
Paketa Antishpifje konsiston në ndërhyrjet ligjore në ligjin “Për mediat audiovizive, ligjin “Për komunikimet elektronike, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” si edhe në VKM-në për masat e mbrojtjes së fëmijëve nga aksesi në përmbajtje të paligjshme në internet.
Këto ndërhyrje sigurojnë:
1-procedura të shpejta administrative mbi trajtimin e ankesave për programet e publikuara nga Ofruesit e Shërbimit të Publikimeve Elektronike
2-Reagim të shpejtë të institucioneve publike në rast të konstatimit të cënimit të të drejtave të individëve, duke parashikuar një procedurë të qartë me hapa konkretë për trajtimin e ankesave.
3-Krijimin e një regjistri që administrohet nga AKEP ku regjistrohen Ofruesit e Shërbimit të Publikimeve Elektronike, të pajisur me numër të regjistrimit të personit të tatueshëm, ose të regjistruar në regjistrat tregtarë.
4- Ofruesit e shërbimeve mediatike do të monitorohen nga AMA.
Sipas ministres Gjonaj, paketa antishpifje në asnjë dispozitë të saj, nuk cenon lirinë e shprehjes dhe pluralizmin e tregut por synon përcaktimin e disa standardeve etike.





