Qeveria ka miratuar projektligjin për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore sa i përket llogaritjes së pensioneve.
Në njoftimin e bërë publik për mediat, thuhet:
PROJEKTLIGJ PËR NJOHJEN E PERIUDHAVE TË PUNËSIMIT NË INSTITUCIONET SHTETËRORE, NË ISH-NDËRMARRJET SHTETËRORE, NË ISH-NDËRMARRJET BUJQËSORE DHE NË ISH-KOOPERATIVAT BUJQËSORE PËR EFEKT PENSIONI NË SISTEMIN E SIGURIMEVE SHOQËRORE.
Në mbështetje të neneve 78, 81 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
Neni 1
Qëllimi
Ligji ka për qëllim njohjen si periudhë sigurimi, për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore, të periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në këtë ligj.
Neni 2
Subjektet përfituese
Personat kanë të drejtën për të kërkuar njohjen si periudhë të përgjithshme sigurimi, sipas këtij ligji, kur u lind e drejta për të kërkuar caktimin e një pensioni nga sigurimet shoqërore.
Neni 3
Periudhat e punësimit në institucione shtetërore dhe ish-ndërmarrje shtetërore
- Njihet si periudhë e përgjithshme sigurimi për efekt pensioni nga sigurimet shoqërore koha e punësimit në institucionet shtetërore dhe në ish-ndërmarrjet shtetërore:
- a) nga mosha 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
- b) nga data e përfundimit të shkollës së lartë deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
- Njohja si periudhë sigurimi, sipas pikës 1, të këtij neni, bëhet sipas deklaratës së kërkuesit dhe me kusht që, gjatë periudhës së deklaruar, kërkuesi:
- a) të ketë qenë me vendbanim në qytet;
- b) të mos ketë qenë duke vuajtur dënimin me heqje lirie.
- Periudha e punësimit për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për pension merret me pagë referuese:
- a) 3 288 (tre mijë e dyqind e tetëdhjetë e tetë) lekë, sipas nënndarjes nr.6, të tabelës nr.2, bashkëlidhur vendimit nr.561, datë 12.8.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagave referuese për llogaritjen e pensioneve”, të ndryshuar, për periudhën e parashikuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni;
- b) 4 110 (katër mijë e njëqind e dhjetë) lekë, sipas nënndarjes nr.10, pjesa e tretë, të tabelës nr.1, bashkëlidhur vendimit nr.561, datë 12.8.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagave referuese për llogaritjen e pensioneve”, të ndryshuar, për periudhën e parashikuar në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni.
Neni 4
Periudhat e punësimit në ish-kooperativat bujqësore
- Njihet si periudhë e përgjithshme sigurimi në ish-kooperativë bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore, nga mosha 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, por jo më herët se viti i krijimit të kooperativës bujqësore, deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr.7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar.
- Njohja si periudhë sigurimi sipas pikës 1, të këtij neni, bëhet sipas deklaratës së kërkuesit, përkatësisht me ditë, muaj ose vite të plota pune dhe me kusht që, gjatë periudhës së deklaruar, kërkuesi:
- a) të ketë qenë me vendbanim në fshatin, ku ushtronte aktivitetin ish-kooperativa bujqësore;
- b) të mos ketë qenë duke vuajtur dënimin me heqje lirie.
- Paga referuese për periudhën e sigurimit sipas këtij neni, për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për pension, të jetë sipas përcaktimeve në vendimin nr.561, datë 12.8.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagave referuese për llogaritjen e pensioneve”, të ndryshuar.
Neni 5
Periudhat e punësimit në ish-ndërmarrjet bujqësore
- Njihet si periudhë e përgjithshme sigurimi në ish-ndërmarrjet bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore, nga mosha 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, por jo më herët se data e krijimit të ish-ndërmarrjes bujqësore, deri në hyrjen në fuqi të vendimit nr.452, datë 17.10.1992, të Këshillit të Ministrave, “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”.
- Njohja si periudhë sigurimi sipas pikës 1, të këtij neni, bëhet sipas deklaratës së kërkuesit dhe me kusht që, gjatë periudhës së deklaruar, kërkuesi:
- a) të ketë qenë me vendbanim në fshatin, ku ushtronte aktivitetin ish-ndërmarrja bujqësore;
- b) të mos ketë qenë duke vuajtur dënimin me heqje lirie.
- Paga referuese për periudhën e sigurimit sipas këtij neni, për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për pension të jetë 2 833 (dy mijë e tetëqind e tridhjetë e tre) lekë, sipas nënndarjes nr.20, të tabelës nr.3, bashkëlidhur vendimit nr.561, datë 12.8.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagave referuese për llogaritjen e pensioneve”, të ndryshuar.
Neni 6
E drejta për përfitim më të favorshëm
Kërkesat për pensione, në të cilat janë deklaruar periudha punësimi në institucionet shtetërore, ish-ndërmarrjet shtetërore, ish-ndërmarrjet bujqësore dhe ish-kooperativat bujqësore, që nuk plotësojnë kushtet për t’u njohur sipas këtij ligji ose në detyra/funksione specifike, llogaritja e të cilave ka efekte më të favorshme në masën e pensionit se periudhat që njihen sipas neneve 3, 4 dhe 5, të këtij ligji, me kërkesën e përfituesit, ndjekin procedurën sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 7
Të drejtat e fituara
Të drejtat e fituara nga ky ligj janë objekt rivlerësimi vetëm për vendimmarrje me efekte më të favorshme në masën e pensionit.
Neni 8
Zbatimi i dispozitave
Njohja e periudhave të punësimit sipas neneve 3, 4 dhe 5, të këtij ligji, bëhet:
- a) për pensione që nuk janë caktuar deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, pavarësisht datës së plotësimit të moshës për përfitim;
- b) për pensione kur kërkuesit i është caktuar pension nga sigurimet shoqërore, përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe janë në shqyrtim administrativ në Komisionin Rajonal të Ankimit dhe në Komisionin Qendror të Ankimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore apo në proces gjykimi në gjykatë, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 9
Aktet nënligjore
- Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, me propozimin e ministrit përgjegjës për sigurimet shoqërore dhe të ministrit përgjegjës për bujqësinë, sipas neneve 4 dhe 5, të këtij ligji, të miratojë listën e ish-kooperativave bujqësore dhe ish-ndërmarrjeve bujqësore, sipas vitit të krijimit të tyre me përcaktimin e territorit të ushtrimit të aktivitetit.
- Ngarkohet ministri përgjegjës për sigurimet shoqërore, me propozim të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, që, brenda 1 (një) muaji nga miratimi i listës së ish-kooperativave bujqësore dhe ish-ndërmarrjeve bujqësore, të nxjerrë rregulloren për përcaktimin e procedurës e të rregullave të hollësishme për zbatimin e këtij ligji.
Neni 10
Dispozitë e fundit
Periudhat e punësimit të njohura me ligje të veçanta, për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore, vazhdojnë të njihen të tilla dhe nuk janë objekt trajtimi sipas këtij ligji.
Neni 11
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.