TIRANE, 13 qershor 2013 – Qeveria miratoi në parim rritjen e pagave dhe pensioneve, 10 ditë para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të zhvilluar në një orar të pazakontë (rreth orës 21:30) ashtu sic e cilësoi edhe vetë kryeministri Berisha, ai sqaroi se vendimi do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve, pasi duhet të mblidhet parlamenti për të votuar këtë akt shumë të rëndësishëm, teksa nuk kurseu akuzat për rivalin e tij, Edi Rama. 

“Vendimi më i rëndësishëm mes 44 vendimeve që miratohen sot në mbledhjen e qeverisë është rritja e rrogave dhe pensioneve në përputhje me përcaktimin e buxhetit të shtetit. Rritja e rrogave do të bëhet nga zero në rrogat më të larta, tek 4-6 % tek rrogat e tjera sipas kategorive. Po kështu edhe për pensionet. Rritja e rrogave dhe pensioneve do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve. Ka një modalitet pak të vështirësuar për shkak të parlamentit, por qeveria ka të drejtën me kushtetutë të aktit normativ dhe qeveria në këtë rast do të shfrytëzojë të drejtën kushtetuese të aktit normativ, për të futur në fuqi rritjen. Kjo do të skedohet në mënyrë që javën ose 10 ditëshin e parë të parlamentit të ri të shqyrtohet. 
Ai nuk flet kurrë për rritje rrogash dhe pensionesh, ai flet thjesht do ul këtë taksë dhe do rrisë këtë taksë nga e cila lind vetëm kaosi ekonomik”, u shpreh Berisha. 

Një tjetër vendim i rëndësishëm, në listët e 44 vendimeve që u morën mbrëmjen e së enjtjes, ishte edhe dëmshpërblimi i 1 mijë e 40 të përndjekurve politik për të cilët do të vihen në dispozicion rreth 45 milionë dollarë. Numri 1 i qeverisë theksoi se dëmshpërblimi, i cili vijon pa ndërprerje nuk është në normën më të lartë, por ajo është e merituar. Berisha akuzoi opozitën se u përpoq të shfrytëzonte procesin për arsye të këqija dhe personale.

“Në listën e vendimeve ka një vendim të rëndësishëm, qeveria vendos një shumë të madhe, për dëmshpërblimin financiar, për 1 mijë e 40 të përndjekur poltik në masën rreth 45 milionë dollarë. Ky është detyrimi që ka qeveria shqiptare ndaj të përndjekurve politikë. Një proces që sigurisht do të donim të ishte më i shpejtë, por që ne nuk e kemi lënë kurrë. I garantoj të përndjekurit se brenda afatit ligjor, qeveria do të zbatojë ligjin me përpikmëri. Amendimet e kërkuara do të bëhen. Në parlament pati debate të mëdha. Madje në parlament pati tendenca nga pala tjetër për t’u përdorur kjo për qëllime shumë të këqija. Por ne vazhdojmë me vendosmëri për dëmshpërblimin me normën më të merituar të këtyre njerëzve të fjalës së lirë, që u martirizuan për së gjalli në burgjet dhe kampet e një regjimi barabar”, tha Berisha.

Qeveria gjithashtu vendosi privatizimin e një numri të madh banesash në favor të qytetarëve shqiptarë.

“Kjo është një politike e drejtë që i jep zgjidhje përfundimtare strehimit të qindra familjeve në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë dhe kudo”, tha Kryeministri. 

Kryeministri bëri me dije se qeveria do të rimbursojë me para në dorë tvsh-në për të gjitha makineritë që fermerët shqiptarë blejnë në dyqanet e vendit.

“Kjo erdhi si rezultati i kërkesës së tyre. Ky vendim plotëson përfundimisht paketën e reformave të thella që ne bëmë për të mbështetur fermerët e vendit”, theksoi Berisha.