DURRËS, 22 janar 2015 – Në mbledhjen e 21 janarit 2015, Këshilli i Ministrave vendosi shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i nënkalimit tek Ura e Dajlanit-Rruga e Plazhit dhe nënkalimit në Plepa Durrës”.

Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Durrës. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë truall nën objekt dhe objekt, me një vlerë të përgjithshme prej 100 865 609 lekësh.

Shpronësimi fillon më 24 janar 2015. Pronarët do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Durrës.

Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive Durrës, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Durrës, do të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës urdhërohet të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.

/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/