Janë të paktën 40 milionë USD taksa të reja që janë miratuar dje në Komisionin e Ekonomisë. Ndryshe nga paketa fiskale e dorëzuar nga qeveria, maxhoranca në Komision ka miratuar edhe kërkesat e shoqatës së bashkive, të cilat do të kenë një efekt shtesë në kostot e biznesit.

Taksa e truallit, e makinave, taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe ajo e hoteleve janë rritur. Ndryshimet në taksat vendore do të prekin të gjithë bizneset që kanë troje dhe të gjithë ndërtuesit. Ndërkohë që përfitues pritet të jenë fasonët. Taksa e ndërtesës për këtë lloj biznesi përgjysmohet. Në tabelat e ligjit thuhet se ky është vetëm një saktësim, por sipas deputetëve në Tiranë dhe Durrës, taksa nga 400 lekë/m2 bëhet 200 lekë/m2, në bashkitë e nivelit të dytë nga 300 bëhet 150 lekë/m2 dhe për bashkitë e vogla nga 200 bëhet 100 lekë/m2. Ndërkohë që të gjitha taksat e tjera vendore pësojnë rritje.

TAKSA E TRUALLIT

Në variantin e qeverisë, për herë të parë vendosej një taksë për trojet në qytete. Taksa ishte e ndarë në katër nivele, sipas madhësisë së bashkive. Ajo llogaritej në hektarë. Në variantin e miratuar dje, taksa do të llogaritet në metra katrorë. Këtu nuk ka rritje, vetëm pjesëtim të taksës. Por shoqata e bashkive ka propozuar dhe Komisioni miratoi dje një taksë të re për bizneset.

Kjo do të jetë 20 lekë/m2 për Tiranën dhe Durrësin, 18 lekë/m2 për qytetet e nivelit të dytë dhe 15 lekë për qytetet e tjera. Kjo taksë do të paguhet nga të gjithë ata qytetarë që kanë oborre të shtëpive dhe të gjithë bizneset që kanë troje. Në variantin e parë qeveria parashikonte të merrte 180 milionë lekë. Në variantin e miratuar dje, efekti financiar është 2 miliardë lekë ose rreth 20 milionë USD.

TAKSA E “PALLATEVE”

Një tjetër taksë që rritet është ajo e ndikimit në infrastrukturë. Sot çdo ndërtues i një pallati apo shtëpie, paguan 2- 4 për qind, në varësi të bashkisë, taksë. Kjo taksë llogaritet si përqindje mbi investimin. Pra, në rast se investimi për ndërtimin e një pallati është 1 milion euro, atëherë taksa është 40 mijë euro. Me propozimin e ri ndryshon i gjithë koncepti i taksës. Taksa e re bëhet 4-8 për qind.

Dhe nuk llogaritet mbi vlerën e investimit, por mbi vlerën e shitjes së apartamenteve. Në relacionin e shoqatës së bashkive jepet vetë një shembull. Sipas dokumentit, sot taksa e ndërtimit në infrastrukturë është mesatarisht 8 euro/m2 në Tiranë. Me ndryshimin e ri, do të bëhet 30-100 euro m2. Kjo në bazë të çmimit fiskal që kanë apartamentet në zona të ndryshme. Në total parashikohet një efekt prej 2 miliardë lekësh ose 20 milionë USD shtesë në buxhet.

TAKSA E HOTELEVE

Qeveria propozoi që taksa e hoteleve të bëhet 1 euro ose 140 lekë për krevat për çdo natë fjetjeje. Por duket se bashkitë e kanë ndryshuar mendimin e Komisionit. Taksa e re do të jetë më e lartë. Maxhoranca vendosi që taksa e fjetjes të jetë 350 lekë për natë fjetjeje, për hotelet me 4 ose 5 yje në qytetet e Tiranë e Durrësit, dhe 140 lekë për hotelet e një renditjeje më të ulët. Ndërsa për zonat bregdetare dhe turistike taksa do të jetë 175 lekë për hotelet me 4 dhe 5 yje, si dhe 70 lekë për hotelet e një renditjeje më të ulët. /panorama/