Sipas Partisë Demokratike, qeveria ka përjashtuar nga ndihma ekonomike më shumë se gjysmën e qytetarëve që kanë mbetur pa të ardhura për shkak të masave të jashtëzakonshme.

Në një konferencë për mediat, Dorian Teliti tha se askush nuk do të paguhet për 18 ditët e marsit, kur shumica e bizneseve u mbyllën dhe qytetarët u futën në karantinë.

Sipas tij, paketa e qeverisë është gjysmake dhe parashikon shtrirjen e efekteve nga 1 prilli.

Kjo do të thotë se marsi nuk përfshihet fare në llogaritë e Edi Ramës për të ndihmuar qytetarët”, tha Teliti.

Sipas selisë blu, shteti ka detyrimin që në këtë moment të vështirë të jetë pranë të pamundurve, t’u sigurojë atyre minimumin për të jetuar dhe për t’u ushqyer.

“Partia Demokratike kërkon rishikimin e paketës së ndihmës së qeverisë! Asnjë qytetar nuk duhet të përjashtohet! Çdo ditë e lënë pa punë duhet të kompensohet”.