Ligji për peshkimin që ka mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë synon përcaktimin e rregullave më të qarta për këtë sektor, si dhe ruajtjen e një ekuilibri ndërmjet zënies dhe rezervave peshkore. Kështu thekson deputeti i Durrësit, Osman Metalla në një intervistë për të përjavshmen “Dyrrah”, duke shtuar se politikat e qeverisë për peshkimin duhet të drejtohen në disa drejtime si nxitjen për rinovimin e peshkarexhave, të cilat janë në moshë të madhe; krijimin e infrastrukturës së domosdoshme portuale dhe asaj të tregtimit; si dhe nxitës të tjerë që janë të domosdoshëm për rritjen e konkurueshmërisë së këtij sektori.

Nga ana e opozitës në Parlament ka pasur akuza të forta ndaj politikave të qeverisë për sektorin e peshkimit. Cili është komenti juaj?

Sektori i peshkimit është një nga sektorët më jetikë të ekonomisë dhe sidomos për qytetin e Durrësit. Ky sektor ka një rëndësi të veçantë duke patur parasysh se qindra familje në këtë qytet si dhe në qarkun e Durrësit e kanë të lidhur jetesën me të. Mund të garantoj se vëmendja e qeverisë ndaj këtij sektori ka qenë e vazhdueshme.

Të thuash që nuk ka patur vëmendje ndaj këtij sektori është e padrejtë për shumë arsye dhe fakte. Po ju përmend vetëm disa prej tyre. Dy vite më parë u miratua skema e përfitimit të naftës me çmime të favorshme për këtë sektor. Aktualisht kanë përfunduar procedurat e prokurimit për fillimin e punimeve të portit të ri të peshkimit.

Ai problem mjaft i madh që sektori i peshkimit ka patur në vite për sa i përket portit të peshkimit, tashmë është në rrugën përfundimtare të zgjidhjes.

Një nga problemet e trashëguara ka qenë mungesa e një porti bashkëkohor peshkimi. Porti i ri i peshkimit, pas atij kalvari të gjatë përplasjesh me bashkinë Durrës, tashmë është në fazën e zgjidhjes. Për sa i përket problemit të karburanteve, natyrisht që çmimi i karburanteve diktohet nga bursat ndërkombëtare dhe tashmë ky çmim është në nivelet më të larta, por duhet theksuar se tashmë ekziston një skemë, ku të gjithë subjektet e licencuara trajtohen me karburant me çmim më të ulët.

 

Çmimi i karburanteve diktohet nga bursat ndërkombëtare dhe tashmë ky çmim është në nivelet më të larta, por duhet theksuar se tashmë ekziston një skemë, ku të gjithë subjektet e licencuara trajtohen me karburant me çmim më të ulët. Njëkohësisht edhe nga një ndërhyrje që deputetët e mazhorancës kanë bërë në sistemin e taksave, blerja e anijeve të peshkimit dhe atyre tregtare është përjashtuar nga pagimi i TVSH-së, gjë që përbën një lehtësi të madhe fiskale si dhe është një nxitës për rinovimin e flotës së peshkimit

Njëkohësisht edhe nga një ndërhyrje që deputetët e mazhorancës kanë bërë në sistemin e taksave, blerja e anijeve të peshkimit dhe atyre tregtare është përjashtuar nga pagimi i TVSH-së, gjë që përbën një lehtësi të madhe fiskale si dhe është një nxitës për rinovimin e flotës së peshkimit.

Unë besoj se ky sektor do të vazhdojë të mbetet ndër më të rëndësishmit e ekonomisë së qytetit. Durrësi duke qenë një qytet port, por dhe qytet turistik natyrisht që ka nevojë për produktet e freskëta të peshkut ndaj ky sektor ka rëndësi specifike.

Çfarë duhet bërë më shumë për të rigjallëruar këtë sektor të rëndësishëm për qytetin e Durrësit në veçanti dhe qytetet bregdetare në përgjithësi?

Sektori i peshkimit është një sektor krejtësisht privat, por natyrisht që politikat e qeverisë kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në bërjen më kompetitiv të këtij sektori. Sidoqoftë unë do të thosha se fakti që një sasi e caktuar e produkteve të peshkimit eksportohen flet për këtë.

Sidoqoftë politikat e qeverisë duhet të drejtohen në nxitjen e rinovimit të flotës së peshkimit, që në fakt është në moshë të madhe; krijimin e infrastrukturës së domosdoshme portuale dhe asaj të tregtimit; si dhe nxitës të tjerë janë të domosdoshëm në rritjen e konkurueshmërisë së këtij sektori.

Tashmë në Kuvendin e Shqipërisë ka ardhur një ligj për peshkimin i cili synon përcaktimin e rregullave më të qarta për këtë sektor, si dhe ruajtjen e një ekuilibri ndërmjet zënies dhe rezervave peshkore. Ajo çka bie më shumë në sy të paktën për peshkatarët e Durrësit është pikë së pari mungesa e një porti të mirëfilltë peshkimi, gjë që është drejt zgjidhjes me portin e ri.

Vendi ku sot akomodohen anijet e peshkimit është krejtësisht jashtë parametrave, kalata është e amortizuar si dhe e pamjaftueshme për akostimin e të gjitha mjeteve në mënyrë të sigurt. Mungesa e një tregu peshkimi është një tjetër problem për këtë sektor.

Sidoqoftë të dy këto probleme janë drejt rrugës së zgjidhjes dhe shumë shpejt fillon puna për ndërtimin e portit të ri të peshkimit, I cili ka të parashikuar edhe tregun. Furnizimi me naftë pa akcizë mbetet një tjetër problem, pasi skema ekzistuese ka nevojë të zbatohet me përpikmëri.

Kjo kërkon një bashkëpunim më të mirë të sektorit të peshkimit me organet tatimore, në mënyrë që të mos ketë probleme në implementimin e kësaj skeme. Natyrisht dhe mosha e anijeve është një problem, sikurse dhe vetë kualifikimi i vazhdueshëm i peshkatarëve.