Më shumë se një vit e gjysëm nga tërmeti dhe rreth 16 muaj, pasi i miratoi me dy VKM të veçanta, më datë 13 shkurt 2020, qeveria Rama ka shfuqizuar ditën e sotme dy vendimet që kanë lidhje me zonën e Rindërtimit nr.2 dhe nr.3 në Durrës, respektivisht në lagjen nr.18 dhe nr.14, Shkozet.

VKM-të me nr.129 dhe nr.130, dt 13/02/2020 parashikonin rindërtimin e pallateve të reja për banorët e mbetur pa shtëpi nga tërmeti i 26 nëntorit. Në atë kohë qe caktuar Fondi Shqiptar i Zhvillimit si njësia zbatuese e projektit. Muaj më pas qenë hartuar edhe projektet për pallatet e reja që do të ndërtoheshin në këto dy zona Rindërtimi, “DurrësLajm” pati prezantuar projektet përkatëse për zonën e Rindërtimit nr.2 dhe zonën e Rindërtimit nr.3, por dy VKM-të e miratuara në mbledhjen e sotme të qeverisë duket se i bëjnë nul kto projekte.

Përveç dy pallateve të shembura nga tërmeti, ku ka nisur rindërtimi, për asnjë nga objektet e tjera të shembura në qytetin bregdetar nuk ka asnjë dritë jeshile për nisjen e punimeve.

Dy VKM-të e miratuara sot:

SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.129, DATË 13.2.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM, NË NJËSINË ADMINISTRATIVE DURRËS, BASHKIA DURRËS, DHE CAKTIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT SI NJËSI ZBATUESE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nënndarjeve “iii” e “iv”, të shkronjës “b”, të nenit 13, dhe të pikës 3, të nenit 16, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shfuqizimin e vendimit nr.129, datë 13.2.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së re për zhvillim, në Njësinë Administrative Durrës, Bashkia Durrës, dhe caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese”.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Durrës dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.130, DATË 13.2.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM, NË NJËSINË ADMINISTRATIVE DURRËS, BASHKIA DURRËS, DHE CAKTIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT SI NJËSI ZBATUESE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “iii” e “iv”, dhe 16, pika 3, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shfuqizimin e vendimit nr.130, datë 13.2.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së re për zhvillim, në Njësinë Administrative Durrës, Bashkia Durrës, dhe caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese”.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Durrës dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

M.B.