TIRANE, 16 mars 2013 – Çdo lëvizje në çdo centimetër katror të Portit të Durrësit do të paguhet. Gama e shërbimeve që do të kenë tarifa disafishuar, por edhe kostoja e tyre është rritur. Tarifat e përpunimit të automjeteve do të variojnë nga 2 deri në 20 euro, ndërsa udhëtarëve do t’u vilen paratë përmes kompanive që ofrojnë shërbimin e transportit. Lista e re e tarifave të shërbimeve që ofrojnë autoritetet e Portit të Durrësit mban firmat e ministrit të Financave, Ridvan Bode dhe ministrit i Transporteve, Sokol Olldashi. Urdhri ka hyrë në fuqi dhe rritja e tarifave u faturohet transportuesve, të cilët tarifat po i llogarisin si kosto dhe po i pasqyrojnë në biletat e udhëtimit. 

Tarifat për pasagjerët 

Tarifat e imbarkimit të pasagjerëve me tragete kanë pësuar rritje. Kështu tarifa fikse për çdo mbërritje të tragetit është 11.58 euro, imbarkimi i pasagjerëve nën 12 vjeç kushton 2 euro për person, ndërsa për pasagjerët mbi këtë moshë kushton 4 euro për person. Tarifa e sigurisë për pasagjerët mbi 12 vjeç kushton 0. 5 euro, ndërsa për pasagjerët nën këtë moshë nuk ka tarifë. Në vendim saktësohet se këto janë tarifat e para aplikimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, pra mbi këtë shumë shtohet 20 për qind TVSH. Sipas ligjit, përgjegjësia për pagesat e tarifave dhe interesat për anijet dhe ngarkesat, është e zotëruesit që ka në ngarkim anijen, pra ai paguan faturat e tyre që mblidhen nga Autoriteti Portual ose nga një operator i autorizuar.

/Gazeta “Shekulli”/