Qeveria Shqiptare ka vendosur të japë më shumë para për të varfrit e Durrësit në vitin 2018. Buxheti i shërbimeve sociale është rritur me 500 mijë Euro për vitin 2018.
Buxheti i 2017-s që shkon ndihmë për të varfrit është 9.8 milionë Euro, shumë e cila shpërndahet për rreth 15 mijë familje përfituese të të gjitha kategorive duke përfshirë jetimoret, azilin e të moshuarve, qendra ditore etj. Lajmi u bë i ditur nga Dorian Hatibi, drejtor i shërbimit social shtetëror Durrës.
Pavarësisht se numri i familjeve të varfra e me probleme të rënda sociale në Durrës është shumë i madh, në skemën e ndihmës ekonomike janë futur vetëm një numër i papërfillshëm nga qeveria në raport me kërkesat që kanë nevojtarët.
Kriteret e vendosura për përfitimin e ndihmës ekonomike janë aq të ngurta saqë familjet nevojtare nuk munden dot as të kryejnë dokumentacionin që iu kërkohet. E pasi të kryejnë dokumentacionin nuk futen në listpagesë pasi qeveria shqiptare si kriter ka uljen e numrit të përfituesve në maksimumin e mundshëm. Kjo shumë shpërndahet për përfituesit e kempit, jetimoret, azilin e të moshuarve e më pas te kategorirë e tjera.
Drejtori i shërbimit social në Durrës Dorian Hatibi, në një prononcim për mediat tha se në rang qarku qeveria financon 1156 familje me ndihmë ekonomike, numri më i vogël në raport të 12 qarqeve që ka Shqipëria.
6 mijë persona janë përfitues nga aftësia e kufizuar dhe mbi 7.4 mijë të tjerë përfitojnë pagesë si invalidë pune.
K.H.





