Pas rasteve Tahiri dhe Xhafaj, në lidhje me rastin e tretë të publikuar sot që ka të bëjë me audiopërgjimin ku publikohen shantazhet e qeverisë ndaj gjyqtarit shqiptar në Strasburg për bllokimin e çështjeve të pronave, deputetja demokrate Fatbardha Kadiu e konsideron këtë situatë të fundit si dëm për qeverinë dhe nga ana tjetër avantazh politik për opozitën.
“Ky është fiks realiteti që ndesh gjithkush në jetë. Në një vend të lirë njeriu me kapacitet nuk bën kompromise. Në një vend demokratik, në një vend që duam të jetojmë të gjithë, kapaciteti nuk bën kompromise sepse është i aftë vetë”, shkruan Kadiu përmes një reagimi në rrjetet sociale.
“Shqipëria e Ramës është vendi ku dhe të aftit i imponohet kompromisi. Kjo është çmenduria e realitetit të Ramës dhe të gjithë kastës së tij”, përfundon deputetja e Durrësit.
Kadiu i referohet audiopërgjimit që zbardh bisedën mes gjyqtarit Ledio Biankut dhe Denar Bibës, aso kohe kryetar i KQZ-së. Në regjistrimin e zbardhur nga "Exit.al", Biba shprehet se atë e ka dërguar Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, për t’i kërkuar Biankut të ndihmojë qeverinë, duke nënkuptuar se ndihma do shpërblehet, kurse e kundërta do ta lërë Biankun pa hapësirë në sistemin e drejtësisë se vendit pas mbarimit të mandatit në Strasburg.





