5 janar 2014 – Adnan Januzaj është në qendër të vëmendjes edhe të qeverisë shqiptare. Burime për “Panorama Sport” bëjnë me dije se për talentin kosovar të Mançester Junajtid pritet të investohet edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ky i fundit mësohet të ketë pohuar se është i gatshëm të ndërhyjë për ta bindur babanë e talentit, që Januzaj të veshë fanellën e Kombëtares shqiptare. Madje, gjatë një takimi mes Dukës dhe Ramës në fund të dhjetorit, ky i fundit, edhe në formë batute i pat thënë presidentit të FSHF-së se ishte i gatshëm të investohej për Januzajn. Kujtojmë se jo më larg se dy muaj më parë, zëvendëskryeministri i Kosovës dhe një nga njerëzit më të pasur në botë, Behgjet Pacolli, i pat dërguar një letër kryeministrit Edi Rama në lidhje me përfshirjen e mundshme të Adnan Januzajt në përfaqësuesen e Shqipërisë. Pacolli i parashtronte kryeministrit të Shqipërisë efektet e mundshme të përfshirjes së Januzajt me fanellën kuqezi. “Ndaj Januzajt dhe familjes së tij duhet një qasje tërësore, pra jo vetëm profesionale të cilën e ofron federata dhe trajneri”. Propozimi i tij konsistonte në këto pika: Federatë mbarëkombëtare futbolli; delegacion mbarëkombëtar te familjarët e Adnanit në Angli për ta bindur; shtetësi shqiptare për të afërmit e Januzajt dhe dhuratë familjes një hapësirë toke në Jug për investim. Në veçanti, Pacolli ilustronte pikën e fundit të propozimit të tij, i cili ngjante si ofertë materiale, por në fakt është sipas tij një operacion imazhi për të nxitur turizmin britanik dhe botëror në Shqipëri, në veçanti atë elitar. Nisur nga kjo, por edhe nga interesimi i jashtëzakonshëm i tifozëve shqiptarë, duket se në operacionin “Januzaj” do të përfshihet tashmë edhe Edi Rama.





